Norma e vdekshmërisë nga infektimet me COVID-19 pësoi një rritje të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit, veçanërisht në Itali dhe Spanjë, duke dhënë një paralajmërim për më shumë vuajtje në vendet e tjera ku pandemia nuk është në të njëjtin stad të përparuar si në këto dy vende. Në Itali shkalla e vdekshmërisë arriti në 9.5% të Martën, sipas të dhënave të grumbulluara nga agjencia e lajmeve Reuters, gjë që do të thotë se afërsisht një në çdo dhjetë persona të prekur nga koronavirusi kanë humbur jetën. Në Itali deri më sot ka 64 mijë raste me COVID-19 nga të cilët, 11% janë shëruar dhe 6,077 kanë humbur jetën ndërsa vijojnë të jenë në mjekim afro 80% e të gjithë personave të prekur.
Në Spanjë, vendi i dytë Europian ku pandemia po përhapet me shpejtësi, numri i të infektuarve ka arritur në 35 mijë ndërsa numri i të vdekurve është 2,311, me një shkallë vdekshmërie në masën 6.5%. Vetëm një javë më parë, Spanja e kishte vdekshmërinë pak më shumë se 3%. Shkaqet e rritjes së vdekshmërisë në ditët e fundit duket se lidhen me mbingarkesën shumë përtej kapaciteteve të veta të shërbimeve spitalore në Itali dhe në Spanjë, kjo pjesërisht për shkak se, ndërsa shpërthimeve epidemike iu referohemi si shtete, në fakt ato janë qendra të kufizuara në qytete ose rajone.
Gjatë 24 orëve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zunë vendin e parë në botë për nga numri i infektimeve të reja të konfirmuara. Gjithsej 8,564 amerikanë rezultuan pozitivë gjatë ditës së fundit, shifër kjo më e lartë se sa Spanja dhe Italia. Në total, 42 mijë amerikanë janë të prekur deri tani, nga të cilët, 20 mijë janë nga Nju Jorku.
Vdekshmëria nga sëmundja në SHBA vijon të jetë e ulët, rreth 1.3% ndërsa edhe numri i amerikanëve të shëruar prej saj është shumë i ulët, vetëm 0.7%.
Franca dhe Holanda janë dy vendet e tjera ku COVID-19 ka njohur përhapje të shpejtë gjatë ditëve të fundit. Në Francë ka deri tani rreth 20 mijë raste dhe 860 të vdekur, me një shkallë vdekshmërie prej 4.3%, ndërsa në Holandë, një vend që ka rreth një të tretën e popullsisë së Francës, numri i të prekurve është 4,749 dhe shkalla e vdekshmërisë është 4.5%.
Në të gjithë botën, deri mëngjesin e së Martës shënohen 377,431 raste me COVID-19, nga të cilët, 102,462 janë shëruar ndërsa 16,527 kanë vdekur. Shkalla e vdekshmërisë deri tani është 4.38% për të gjithë botën por kjo shifër është mesatare e Kinës, ku vdekshmëria ishte rreth 4% dhe pjesës tjetër të botës, ku vdekshmëria është mbi 5%.
Pandemia COVID-19 duket se nuk ka të ndalur për nga niveli i përhapjes pavarësisht se tashmë shumica e botës ka ndërmarrë masa ekstreme për të penguar përhapjen e saj. Lajmi i vetëm pozitiv gjatë 24 orëve të fundit duket se është një ngadalësim i numrit të rasteve të reja në Itali dhe një rënie e lehtë në numrin e viktimave. Zyrtarët e shëndetësisë njoftuan se tashmë për dy ditë radhazi, numri i rasteve të reja është lehtësisht më i ulët se sa në ditët e mëparshme, gjë që, sipas zyrtarëve, përbën një “dritë në fund të tunelit”.
Në anën tjetër të botës, në qytetin e Vuhanit në Kinë, kufizimet e imponuara për ndalimin e pandemisë filluan të lehtësohen. Qyteti u vendos në mbyllje totale më 23 Janar ndërsa pritet të udhëtimet të kthehen në normalitet më 8 Prill, afërsisht 10 javë pasi u vendosën.