Ka shkuar në tre numri i personave të prekur nga koronavirusi në qarkun Shkodër. Pas rastit të konfirmuar të oficerit të policisë gjyqësore dhe shkodranes që jeton në Tiranë, është konfirmuar edhe rasti i një qytetari nga Puka i cili dyshohet se është infektuar nga pacienti zero dhe që jetonte në Itali.
Pacienti i tretë ka qenë i shtruar më parë në repartin e imazherisë në spitalin rajonal të Shkodrës pasi vuan nga mushkëritë. Fillimisht ky shtetas nga Puka duke parë gjendjen shëndetësore ka bërë testin me tampon por ka rezultuar negativ ndaj koronavirusit. Ai është dërguar në Tiranë dhe është shtruar atje. Simptomat kanë vijuar dhe për këtë arsye ka bërë analizën me skaner dhe herën e dytë ka rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.
Pas konfirmimit të këtij rasti, personeli mjekësor në Shkodër që ka patur konktakt me të infektuarin janë shqetësuar dhe po i bëhen analizat për të mësuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është bërë e ditur se 12 testet e bëra ditën e djeshme tek disa persona të dyshuar si të infektuar me koronavirus në qytetin e Shkodrës kanë rezultuar negative.
Një shtetase sapo ka lindur fëmijën e saj në maternitetin e Shkodrës është dërguar në Tiranë si e dyshuar por gjithashtu pas testit ka rezultuar negativ ndaj COVID-19. Pavarësisht përfshirjes së qytetit të Shkodrës në hartën e qyteteve të prekura nga virusi, ndërgjegjësimi i qytetarëve është në nivele minimale.
Mjafton një vëzhgim i shkurtër për të kuptuar se nuk po zbatohen rregullat, ashtu siç është kërkuar nga institucionet. Trotuaret dhe rrugët që prej orëve të para të mëngjesit kanë qenë të populluara.