Flet për Javanews, ambasadori dhe ish-kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi. Sfida e ardhshme për Ballkanin. Si duhet t’i shikojmë lëvizjet e fundit të presidencës hungareze dhe të Viktor Orban dhe cilat janë pasojat e para të zgjedhjeve në BE per Ballkanin…
Intervistoi Javanews
Realiteti i zhvillimeve të Evropës po sjell shumë sfida me presidencën hungareze. Ministri hungarez për Çështjet Evropiane, János Bóka, u shpreh: “ne do jemi ndërmjetës të ndershëm, do punojmë besnikërisht me të gjithë shtetet anëtare dhe institucionet.. Kryerja e funksioneve të presidencës është obligimi ynë, por atë ne e shohim parësisht si mundësi… , ne mund të fillojmë një diskutim, dhe të përcaktojmë rendin e ditës për çështje që janë të rëndësishme për ne”. Ndërsa Borreli shkon deri në kërcënim, duke thirrur mbledhje të Këshillit të Çështjeve të Jashtme (FAC) gjatë takimit të Gymnich nën drejtimin e Presidencës hungareze. Kështu nuk mund të mbahet Gymnich. Ndërsa kryeministri belg, me ndjenjën e superioritetit, deri dhe fyerjes, tha se: “pozicioni nuk do të thotë që ti je bosi i Evropës. Pozicioni do të thotë se ti je ai që duhet të bësh kompromis“, kjo si këshillë. Kur Orbani përpiqet të gjejë mundësi për kompromis, çka po bën, ai kritikohet ashpër. Në fakt, Ballkanit i intereson procesi i integrimit, ku vendet e saj po përballen jo thjesht me ndryshime metodologjish, por edhe me afate gjithnjë shumë të mugullta drejt Brukselit…
Ka kohë që nuk keni folur mbi procesin e integrimit. Presidenca belge e mbylli 6-mujorin e saj, Presidenca hungareze e filloi. U bënë zgjedhjet në Këshill për drejtuesit e organeve kryesore të BE-së. Cilët zhvillime meritojnë vëmendje të posaçme, që është mirë të njihet nga publiku ynë?
“Presidenca belge zhvilloi një numër aktivitetesh, siç ndodh nën çdo presidencë. Mbledhjet e fundit në qershor kanë pasur në rendin e dites shtetin e së drejtës në procesin e zgjerimit. U prezantua studimi i një “think tank” në Stokholm, “Drejt një Unioni te Zgjeruar: Mbështetja/Mbajtja Lart e Shtetit të së Drejtës”. U shkëmbyen mendime mbi integrimin gradual në fushën e shtetit të së drejtës gjatë procesit të zgjerimit. Folësit ishin dakord përgjithësisht se “kutia e veglave” ekzistuese ligjore duhet optimizuar. U dha mbështetje për asistencë teknike, përmirësimi i cilësisë të raporteve mbi shtetin e së drejtës. Nuk pati konsensus për kalimin e pjesshëm në “votimin me maxhorancë të kualifikuar” (VMK) (Traktati i Lisbonës, Nenin 16, specifikon se Këshilli do të veproje me VMK në fushat e kompetencës, me disa përjashtime. Ky lloj votimi është zgjeruar në fushat e politikës që më parë kërkonin unanimitet, sipas Traktatit të Nisës)“.
Ka pasur diçka konkrete që na përfshin, na prek direkt ne?
“Ka pasur diskutime me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë të Këshillit të Punëve të Jashtme më 24 qershor. Shërbimi i Jashtëm Evropian i pat dërguar një “letër orientuese” vendeve anëtare, që ishte baza e diskutimeve atë drekë.
Duhet të njihet se qëllimi i takimit nuk ishte të shqyrtoheshin marrëdhëniet bilaterale të BE me vendet e veçanta. Qëllimi ishte të shqyrtoheshin mundësitë për të forcuar veprimin e përbashkët kundrejt sfidave të politikës të jashtme dhe të sigurisë që përballet BE. Pati përpjekje për të gjetur mundësi për të ecur përpara me integrimin gradual në fushën e Politikës të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
BE vëzhgon t’i mëshojë me forcë gradualitetit. Përsëris çfarë kam thënë më parë: kjo përqasje bart rrezikshmëri të madhe për ne. Ajo është lëvizje taktike për të shtyrë procesin, ndërsa në aparencë, e për publik, shfaqet sikur e dëshirojnë dhe po punojnë fort.
Mesazh tjetër kryesor në atë drejte ishte domosdoshmëria për të siguruar që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mbetet i sigurt dhe stabël në situatën e sotme gjeopolitike. Në realitet, pas këtyre fjalëve lexohet se BE do që të sigurohet që ato vende të jenë 100 përqind në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE. Vendeve tona iu tha se duhet të tregojnë aftësitë individuale për të menaxhuar tensionet e brendshme dhe ato kufitare, veçanërisht veprimet që sfidojnë integritetin territorial. Çdo incident, sado i vogël, mund të jetë kërcënim për sigurinë rajonale. Mesazh tjetër ishte parimi pacta sunt servanda, formulimi latinisht i parimit themelor të drejtësisë – traktatet, marrëveshjet duhet të respektohen!
Komisioni Evropian theksoi se fokusi do jetë tek linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE, procesi i zgjerimit dhe Plani i Rritjes për integrim gradual. Përsëritet e njëjta linjë e gradualitetit. Kjo vetëm përforcon mendimin tim të përsëritur. Do vijojnë të bëhen shpikje, akrobaci, do dëgjojmë ide te reja, që mund të veniten brenda pak kohe, vetëm që të shtyhet sa me tej integrimi. Parashikoj që kjo të ndodhë edhe pas konstituimit të Komisionit të ri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian”.
Sapo mori Presidencën Hungaria, Viktor Orban vizitoi Kievin, Moskën dhe Kinën. Por u kritikua ashpër.
“Pati reagime të shfrenuara, emotive, të shumicës të vendeve të BE ndaj Viktor Orbanit, u tha nga disa se Orbani nuk flet në emër të BE! Çfarë gabimi bëri Orban!? Asgjë për t’u kritikuar. Ai thjesht bëri veprimin e duhur, të zgjuar, që është për t’u mirëpritur, jo e kundërta! Vetëm një drejtues qeverie nga BE-ia ka bërë një herë një takim me Putinin në 28 muajt e fundit. Orbani po ndjek rrugën e kërkimit të paqes kundrejt SHBA dhe BE që janë në rrugën e luftës.
Është fatkeqësi që sot nuk flitet për paqë. Asnjë media perëndimore nuk flet për paqe. Orbani foli për paqe, për gjetjen e mundësive për paqe. Pa folur direkt, pa njohur mendimet e palëve, nuk është e mundur të kuptosh as historinë, as zhvillimet aktuale, as të marrësh vendime të drejta! Vendimet e deritanishme kanë qenë të keqinformuara, të keqorientuara, të keqkalkuluara, pa efektet që priteshin. Orbani e njeh ndoshta më mirë se cilido në BE (nëse aty ka ndonjë që e njeh) historinë, mentalitetin, pështjellimet, marrëdhëniet, konstitucionin, arsyetimin, perceptimet e Rusisë. Hungaria ka përvoja direkte, vështirë t’i jepen leksione Orbanit.
Situatë e trisht. Nuk mund të mos mendoj, e përsëris – a jemi të përgatitur për alternativën e ridimensionimit të marrëdhënieve me botën, pa hequr dorë nga objektivi dhe përcaktimi ynë strategjik!? Kam ndjenjën se do jemi dëshmitarë të dobësimit të mëtejshëm të BE! Ndërkohë, do vazhdohet të na mbajnë “ngrohtë”, do dëgjojmë plane e propozime të reja, financime, etj., por ‘tek dera‘!“
Çfarë qëndrimesh mbajtën në atë drekë shtetet anëtare, nëse keni dijeni?
“Për hollësi të mëtejshme, sa më lart dhe më poshtë, është e domosdoshme dhe detyrë që të dalë të informojë publikun ai/ajo që kanë qenë të pranishëm, nëse kanë leje. Prandaj, kufizohem të them shkurtimisht se shumica e vendeve ishin dakord që vazhdimi i zgjerimit është instrumenti më i efektshëm për stabilitetin dhe sigurine e vetë BE. Kjo duhet lexuar: procesi të vijojë sa më gjatë, pa afat kohor!
Ballkani Perëndimor qëndron lart në listën e prioriteteve të Presidencës hungareze, linja e Hungarisë prej kohësh. Kjo është e favorshme për ne. Siguria dhe stabiliteti i rajonit është me rëndësi parësore për Hungarinë si vend fqinj. Kjo është shprehur në programin e Presidencës hungareze, rajoni ynë është në zemër të prioriteteve të Presidencës hungareze.
Politika e zgjerimit mbetet për Hungarinë instrumenti më i efektshëm për stabilitet në rajon dhe në BE. Për Hungarinë ka shumë rëndësi të forcohet kredibiliteti i perspektivës të zgjerimit. Unë mendoj se ky kredibilitet praktikisht ka humbur! Presidenca hungareze synon të shtyjë përpara zgjerimin, ku mundet, të rrisë bashkëpunimin përmes vizitave të rregullta, të koordinuara, të përfshijë më shumë informalisht vendet tona në punën e institucioneve të BE-së, të rrisë aftësitë e qëndrueshmërisë dhe forcën ripërtëritëse, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, ndaj sfidave të emigracionit, etj.
Ministri hungarez për Çështjet Evropiane, János Bóka tha, “ne do jemi ndërmjetës të ndershëm, do punojmë besnikërisht me të gjithë shtetet anëtare dhe institucionet… Kryerja e funksioneve të presidencës është obligimi ynë, por atë ne e shohim parësisht si mundësi…, ne mund të nisim një debat/diskutim, dhe të përcaktojmë rendin e ditës për çështje që janë të rëndësishme për ne”. Ndërkohë, bëhen përpjekje nga shumë krahë për të zvogluar, për t’a ulur rolin, peshën e Presidencës hungareze. Kryeminstri belg, me ndjenjën e superioritetit, deri dhe duke fyer disi, duke dhënë në formë këshillë për një koleg kryeminister, tha se “pozicioni nuk do të thotë që ti je bosi i Evropës. Pozicioni do të thotë se ti je ai që duhet të bësh kompromis“. Dhe kur Orbani përpiqet të gjejë mundësi për kompromis, ç’ka po bën, ai kritikohet ashpër. Nuk di se kush, por me duket se dikush, disa, kanë dalë disi jashtë orbite!“
“Janë bërë zgjedhjet për drejtuesit e Institucioneve Kryesore të BE. Ka pasur vështirësi, apo ka shkuar “vaj“, siç mund të thuhet?
“Këshilli Evropian miratoi tre emra për postet Kryesore: Ursula Von der Leyen propozohet të rizgjidhet si Presidente e Komisionit, Antonio Costa, ish Kryemintër i Portugalisë, zgjidhet në postin e Presidentit të Këshillit Evropian, dhe Kaja Kallas, Kryeministre e Estonisë, propozohet të zgjidhet si Përfaqësuese e Politikës të Jashtme të Këshillit. Dy kandidatura propozohen, pasi për to kërkohet të votohet në Parlamentin Evropian, që mblidhet më 15 korrik në seancën e tij të parë. Ursulas i duhet të sigurojë 361 vota nga 720 anëtarë të Parlamentit. Zgjedhja e Costas nuk kërkon votim në Parlament, mjafton vendimi i Këshillit.
Për këto ka pasur mjaft pakënaqësi. Mënyra sesi u mblodhën për të marrë këto vendime gjashtë drejtues qeverish dhe, më pas, u hodhën në Këshill, është problem madhor. Meloni ka abstenuar për Ursulan, ka votuar kundër dy të tjerëve, Orbani ka votuar kundër dhe ka thënë se kjo vërteton se po ecet në drejtim krejt të kundërt për çka është krijuar BE. Do ketë bërryla të fortë, si për këto dy propozime, ashtu edhe për ndarjen e posteve të komisionerëve. Kjo flet vetë për “homogjenitetin” e BE-së”.