Nesër pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i thirrur nga kreu i shtetit, Ilir Meta. Mbledhja do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, aty ku përgatitjet kanë nisur që ditën e sotme. Janë marrë masa që mbledhja të zhvillohet në një format të atillë që të respektohet distanca fizike mes pjesëmarrësve, për të parandaluar kështu përhapjen e Covid-19. Por ky format nuk i ka pëlqyer kryeministrit Edi Rama.
Ai preferon që mbledhja të zhvillohet me videocall duke shmangur kështu qëndrimin në një sallë të përbashkët. Hezitimi i Ramës është rritur shumë pas konfirmimit me Covid-19 të drejtorit të Urgjencës Kombëtare. Kryeministri nuk po zhvillon asnjë takim me bashkëpunëtorët e tij. Frika e Ramës është më e madhe, duke e ditur që ai vuan nga astma. Deri më tani ka konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje vetëm kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Ende nuk ka një reagim nga zyra e kreut të qeverisë, i cili insiston që mbledhja të zhvillohet me videocall. Mbetet të shohim nesër se si do të rrjedhin gjërat gjatë kësaj mbledhje të thirrur nga presidenti, për shkak të situatës emergjente që po kalon vendi nga përhapja e koronavirusit./Lapsi.al/
* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/