Zërat kundër hapjes së fasonerive në Shqipëri si një rrezik për përhpajen e koronavirusit sa vijnë dhe shtohen. Keti Bazhdari e cila vjen edhe vetë nga bota e industrisë dhe prodhimit është kundër hapjes së këtyre fabrikave me qindra punëtor në këtë moment kritik edhe për Shqipërinë, me mbi 100 raste të prekur me COVI-19. Keti Bazhdari si një person që e ka jetuar nga afër pandeminë në Itali dhe krizën që kjo pandemic ka shkaktuar në shoqërinë italiane, jep disa argumente përse fasoneritë në Shqipëri duhet të qëndrojnë të mbyllura sepse janë një potencial për përhapjen e koronavirusit. Bazhdari ka disa kohë që është shkëputur nga ky biznes duke u zhvendosur drejt Italisë por e njeh shumë mirë këtë fushë ndaj ka treguar me argumente përse është një prej zërave kundër duke postuar një shkrim në faqen e saj në rrjetin social facebook. Më poshtë shkrimi i plotë i Keti Bazhdarit:
Pse shqiptarët duhet të izolohen tek e tek nga Coronavirus dhe të ruhen më shumë se të tjerët?
Coronavirus vret një përqindje popullsie që akoma se dimë. Në Itali po vret 9% të sëmurëve, ku shumica i përkasin moshave të mëdha, pra moshave të prindërve tanë.
Coronavirus tek disa njerëz shkakton një sërë reaksionesh autoimune të cilat shkaktojnë një tip pneumonie akute që të vret. Forma në të cilën të vret është duke të marrë frymën, njëlloj sikur të të kenë vënë duart në fyt dhe të t’i mbajnë për ditë me radhë.
Gjatë këtyre ditëve njeriu ka nevojë për oksigjen, por spitalet kanë vetëm pak makineri me oksigjen, të cilat kushtojnë shumë dhe sot edhe po të duash nuk gjenden. Nuk do të doja që edhe në Shqipëri si në Itali, pavarësisht se do të jenë të detyruar, të nisë përzgjedhja kujt t’i japin mundësinë për të jetuar e kë të lënë të vdesë në vetmi e tmerr, i cili në Shqipëri nuk mbaron me kaq. Në Shqipëri, familjarët e viktimave dhe paniku, janë rreziku më i madh. Në Itali 90% e njerëzve besojnë te sistemi i tyre mjekësor, te potenca e tij si dhe forca që të imponon të qenurit pjesë e një kombi të madh. Po këtu te ne si janë këto shifra?! Sa përqind besojnë dhe sa nuk besojnë tek sistemi jonë shëndetësor? Dhe kur këta mosbesues të jenë vënë në kushtet e luftës për mbijetesë të tyre apo të afërmeve të tyre si do të reagojnë?! Si do ta trajtojnë mjekun që s’do të mund t’u shpëtojë babain, nënën, motrën, vëllain se nuk kishte makinë oksigjeni?! Çfarë reagimi do të kenë dhe sa do të jenë në gjendje të përmbajnë instiktet e tyre, duke mos harruar se numrit të njerëzve të sëmurë i duhet shumë pak të kalojë numrin e mjekëve me këtë pandemi. Dhe kur ky numër i njerëzve që duan oksigjen të jetë shumë më i lartë se ai i mjekëve që marrin vendime, kujt t’ia japin e kujt jo, gjë e pashmagshme kjo nëse vazhdojmë e bëjmë si trima, atëherë përveç dhimbjes humane që do të ndjejnë këta njerëz, që sot kemi nisur t’i quajmë heronjtë tanë, do të jetë dhe përballja e tyre me kërcënimin dhe rrezikun si njerëz.
Nga sa kam kuptuar unë deri më tani ky virus ka edhe një specifikë, bëhet shumë më agresiv aty ku prezenca e tij është e lartë. Nuk ka sjellje tipike të viruseve që ruajnë karekteristikat edhe në sasi shumë të vogla. Ky virus aty ku është prezent në sasi të madhe, mund të sëmurë edhe njerëz me imunitet shumë të lartë dhe kjo vlen për mjekët tanë të cilët, nga sa ndjek përmes televizionit nuk kanë veshjet adapte dhe nuk e kanë ndoshta pikasur këtë veçori të tij. Aty ku është tepër prezent bëhet më i rrezikshëm jo vetëm për nga probabiliteti i hasjes, por edhe për nga forca dhe forma e atakimit që ai aplikon (gjë që se dimë) dhe kjo ka rezultuar fatale edhe për njerëz të rinj dhe me imunitet të lartë. Dhe nga ky virus nuk janë imun as policë, as ushtarë, as deputet e as ministra.
Ju lutem kemi edhe shumë pak orë për të qenë akoma brenda, thërrisni mendjes dhe ndaloni çdo formë aktiviteti që takohen qofte edhe dy njerëz me njëri-tjetrin. Çdo masë tjetër është thjeshtë e pamjaftueshme! Nëse për Italinë, Francën Gjermaninë, Amerikën ishin të mjaftueshme masat deri këtu ku janë marrë, të paktën shifrat e Italisë po na japin pak shpresë se situata po nis countdown, për ne si shqiptarë duhet të jenë dyfish. Ne duhet t’u lëmë kohë atyre ta marrin veten dhe ne ta ruajmë me anë të izolimit që mos të përhapet, në mënyrë që kur të kemi realisht nevoje dikush të na e zgjasë dorën. Ju lutem mos të bëjmë trimëri me situata e agjentë që as nuk i njohim, por të bëjmë atë që dimë dhe vërtetuam se funksionoi këto ditë, izolimin total. Izolimi më i mirë është të dalësh të blesh ilaçe dhe ushqim një herë në javë, të vish në shtëpi të lahesh në dush dhe rrobat direkt në lavatriçe me 60 gradë dhe të mos dalësh nga shtëpia përveç se po ra tërmet. Për punë, shkollë, qejfe do kemi kohë boll, për momentin na duhet të sigurojmë jetën. Nëse Italia ecën me këtë trend rënie, për dy javë e vë situatën komplet nën kontroll dhe diçka na e sjellë edhe ne nga eksperienca dhe makineritë që disponon. Pse po e bëjmë një muaj zero asnjë nga ne s’do të vdesë, është njëlloj sikur të kishim lindur një muaj më vonë. Mos hezitoni të mbylleni totalisht në shtëpi, është e vetmja formë që ju shpëton jetën ju, prindërve tuaj dhe na mbron që të mos zhytemi në kaos e panik, siç përjetuan të shkretët italianë në Bergamo e Milano. Edhe ne e ndamë me ta, por është tjetër ta kesh te dera e shtëpisë. Më falni! Ky është mesazhi im i parë dhe i fundit me këtë frymë pesimizmi, por siç tha dhe Merkel, kjo është situata më e tmerrshme që pas luftës së dytë botërore dhe ne jemi tepër të brishtë për të mos e konsideruar, kështu siç kemi nisur të bëjme sot, duke hedhur valle në gojë të ujkut. Viruset janë më tinzare se ujqërit. Më mirë frikacakë sot se të katranosur e sakatosur nesër!