Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) shprehu shqetësimin se pandemia e koronavirusit vazhdon që të përhapet me shpejtësi. Aktualisht janë konfirmuar më shumë se 300,000 raste.
“U deshën 67 ditë nga rasti i parë i raportuar për të arritur në 100,000 rastet e para të Covid-19, por u deshën vetëm 11 ditë për 100,000 rastet e dyta, dhe vetëm katër ditë për 100,000 rastet e treta”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Por ai shtoi se situata mund të ndryshojë, nëse shtetet marrin masa mbrojtëse dhe sulmuese.
“Por ne nuk jemi të burgosur nga statistikat. Ne nuk jemi kalimtarë të pafuqishëm. Mund të ndryshojmë trajektoren e kësaj pandemie. Kërkesa që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe masa të tjera për distancimin shoqëror janë një mënyrë e rëndësishme për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe blerjen e kohës, por ato janë masa mbrojtëse. Për të fituar ne duhet të sulmojmë virusin me taktika agresive dhe të shënjestruara – duke testuar çdo rast të dyshuar, duke izoluar dhe kujdesur për çdo rast të konfirmuar dhe gjurmimin dhe karantinimin e çdo kontakti të ngushtë”, tha Ghebreyesus.