Ministri Arben Ahmetaj i cili është emëruar për të menaxhuar përballimin e situatës së koronavirusit, ka treguar ditën e sotme se si do të paguhen qytetarët që janë detyruar të mbyllin bizneset.
Ahmetaj tha në emisionin “Opinion” se ata persona që nuk shkojnë në punë edhe pse biznesi vijon normalisht punën, nuk përfitojnë nga paketa, e cila përfshin tre kategori.
“Këto lloj kompanish dhe këta të punësuar që për arsye legjitime nuk pranojnë të shkojnë në punë, nuk përfitojnë nga paketa Rama. Paketa fokusohet në tre grupe, një është grupi i biznesit të vogël me xhiro nga 0 me 14. Këtu është vendosur të ndërhyhet duke i dhënë pagë minimale të gjithëve të punësuarve, por ka një specifikë. Paga jepet nga Buxheti i Shtetit. Paga minimale është 260 mijë lekë të vjetra. Një familje që ka një biznes të vogël, që është burri që ka biznesin dhe gruaja që është e punësuar dhe nuk merr pagë, këta do të marrin pagë gjithashtu. Grupi i dytë janë të gjitha familjet e ndihmës ekonomike që shkojnë në mesatare 70 mijë. Këta paguhen 2-fishin e asaj që paguhen sot dhe kjo shkon 335 milion lekë dhe kategoria e tretë janë ata që marrin pagesë papunësie sot që është 145 mijë lekë të vjetra dhe këtyre ju dyfishohet. Jemi duke ndërhyrë te shtresat në nevojë”, deklaroi ministri./ CNA.al