Nga pretendimet se uji me kripë mund të ndalojë përhapjen e koronavirusit në mushkëri e deri tek udhëzimet e rreme, ilaçe që bëjnë mrekulli dhe vaksinat e supozuara, njerëzit në Europën Qendrore dhe në Ballkan po bombardohen nga mijëra lajme të rreme dhe mesazhe propagandistike përmes mediave tradicionale, tabloidëve, portaleve online, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si WhatsApp dhe Viber.
Me një skenë mediatike tepër të parregulluar dhe nivele të ulëta shkrimi-leximi në media, krijuesit e dezinformatave po përhapin panik duke ndarë informacione të pa verifikuara. Fajtorët për këtë janë mediat, zyrtarët dhe madje edhe kryeministrat.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, një kritik i ashpër i mediave që ai i konsideron jo miqësore dhe një mbrojtës i politikave drakoniane për mediat, fundjavën e kaluar ndau me ndjekësit e tij një video ku, sipas tij, tregohej se si policia spanjolle dëbonte protestuesit nga rrugët për të zbatuar një shtetrrethim.
Rama më vonë u desh të kërkonte ndjesë pasi doli që videoja ishte regjistruar në të vërtetë në Algjeri. Ai fajësoi një shqiptar pa emër, i cili ia kishte dërguar atij videon nga Italia.
Në gjysmë-demokracitë e rajonit, ndërsa jetët kaluan sfera publike në atë digjitale, shumë liri u pezulluan gjithashtu, ndërsa barra e përgjegjësisë për shkeljet ra mbi qytetarët pasi qeveria vendosi kufizime që në shumë raste shkelnin standarde normale të të drejtave të njeriut.
Vetëm në dy javët e fundit, janë arrestuar 80 persona, disa prej të cilëve janë futur në bug, për përhapje të lajmeve të rreme dhe dezinformim, me shembujt më drakonikë në Turqi, Serbi, Hungari dhe Mali të Zi.
Qeveritë në Mal të Zi dhe Moldavi bënë publike të dhënat shëndetësore personale të personave të infektuar me COVID-19, ndërsa faqet zyrtare të internetit dhe sistemet kompjuterike spitalore pësuan sulme kibernetike në Kroaci dhe Rumani. Disa vende si Sllovakia po mendojnë heqjen e të drejtave të përcaktuara sipas Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave, ndërsa Serbia vendosi përgjim dhe gjurmim telefonik për të kufizuar lirinë e lëvizjes.
Në përgjigje të pandemisë COVID-19, disa qeveri po forcojnë mbikëqyrjen, po rrisin censurimin dhe po kufizojnë rrjedhën e lirë të informacionit, paralajmëroi Allie Funk, analist hulumtues për “Freedom on the Net”, një ekip i Freedom House që monitoron lirinë në internet.
“Në mënyrë alarmante, disa autoritete po shfrytëzojnë krizën për përfitimet e tyre politike”, tha Funk për BIRN.
“Kina ka vënë në punë aparatin e saj të sofistikuar të censurës për të shtypur informacione të pavarura që vijnë nga aktivistë, gazetarë dhe qytetarë të zakonshëm. Autoritetet në vende si Tajlanda, Kina dhe Turqia po ndalojnë ose arrsetojnë përdorues të internetit për postime që ata bëjnë në llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale.”
Renditja e të dhënave shëndetësore
Edhe pse ka një popullsi prej vetëm 640,000 banorë, qeveria e Malit të Zi ndërmori një hap drastik duke publikuar një listë të qytetarëve që autoritetet thanë se duhet të izolohen, duke argumentuar se disa nuk po i respektonin detyrimet e tyre. Qeveria tha se mori miratim nga Agjencia e vendit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Forcat e sigurisë nuk mund të kontrollojnë çdo qytetar që duhet të jetë në izolim”, tha qeveria. “Duke marrë parasysh se cilido që largohet nga izolimi kërcënon të gjithë komunitetin, ne vendosëm t’i publikojmë emrat e tyre.”
Partitë e opozitës dhe organizatat e të drejtave u zemëruan.
“Ky njoftim ngjan si një thirrje për linçim”, tha Tea Gorjanç Preleviç e Veprimit për të Drejtat e Njeriut. “Ne presim të shohim një bazë ligjore për këtë veprim. Në të kundërt, kjo është e paligjshme.”
Kryeministri Dusan Markoviç tha se qeveria kishte gjykuar se “e drejta për shëndet dhe jetë është mbi të drejtën për mbrojtjen e pakushtëzuar të të dhënave personale.
Të drejtat për privatësi u shkelën gjithashtu në Moldavi, ku presidenti Igor Dodon më 9 mars përmendi gruan e parë të infektuar me Covid-19 dhe e cila mbetet në spital në Kishinau.
Eksperti i GDPR, Sergiu Bozianu tha se Dodon e shkeli qartë ligjin.
“Në këtë rast, deklarata e Igor Dodon mund të ketë pasoja të rënda për pacienten, fëmijët e saj, të gjithë të afërmit dhe miqtë”, tha Bozianu.
Disa vende të Europës Qendrore, siç është Sllovakia, po mendojnë të pezullojnë disa kufizime të GDPR.
Javën e kaluar, kryeministri që pritet të vijë në detyrë Igor Matoviç në Sllovaki në kritikoi reagimin e qeverisë në largim ndaj pandemisë dhe ngriti idenë e lejimit të dërgimit të mesazheve nga operatorët telefonikë, të cilët do t’u kujtojnë njerëzve që kthehen në shtëpi nga pikat e nxehta të koronavirusit të karantinohen.
Ai tha se nevojitej leje speciale për të hequr disa nga kufizimet e GDPR.
“Në një situatë të tillë, mendojmë se një komunikim krize nga shteti me këta njerëz në këtë formë është i pranueshëm”, tha ai.
Tomas Krissak, një ekspert për dezinformimin dhe një analist politik në Fondacionin Shoqëria e Hapur, tha se kabineti i Matoviçit duhet të veprojë me kujdes.
“Ky propozim i kabinetit të ri duhet patjetër të konsultohet me ekspertë të kësaj fushe”, tha ai. “Nuk ka gjë më të keqe sesa të miratosh masa të paqëndrueshme dhe të pamenduara në këtë fushë.”
Më 19 Mars, Human Rights Watch publikoi Dimensionet e të Drejtave të Njeriut për Përgjigjen ndaj COVID-19, duke nënvizuar se “të dhënat shëndetësore janë të ndjeshme dhe publikimi i informacionit në internet mund të paraqesë një rrezik të rëndësishëm për personat e prekur dhe në veçanti për njerëzit që janë tashmë në pozita të cënueshme ose të margjinalizuara në shoqëri”.
Sipas HRW, masat mbrojtëse ligjore duhet të rregullojnë përdorimin dhe trajtimin e duhur të të dhënave shëndetësore personale.
Të dhënat shëndetësore personale janë sulmuar gjithashtu në internet. Gjigandi i sigurisë kibernetike Bitdefender tha të premten se sulmet në internet të lidhura me Covid-19 “janë rritur me 475 për qind në mars në krahasim me muajin e kaluar” dhe shifrat pritet të rriten akoma më shumë para fundit të muajit.
“Pothuajse një e treta e sulmeve të lidhura me Covid-19 synojnë autoritetet publike dhe institucionet e kujdesit shëndetësor”, tha Bitdefender në një deklaratë.
Një nga qendrat mjekësore në shënjestër ishte një spital në Republikën Czecheke që aktualisht po përdoret për teste të koronavirusit.
Mbikëqyrje “e lëvizjes, jo e bisedave”
Kina dhe Irani ishin vendet e para që përdorën mbikëqyrje masive gjatë krizës, të ndjekura nga Izraeli, ku kryeministri Benjamin Netanyahu ka autorizuar agjencinë e sigurisë së vendit që përdorë të dhënat e telefonave celularë për të gjurmuar lëvizjet e njerëzve që janë prekur nga koronavirusi dhe të identifikojnë të tjerët të cilët duhet të karantinohen sepse kanë pasur kontakt me personat e prekur.
Serbia zgjodhi shkopin e gomës, edhe pse shkalla e përgjimeve dhe mbikëqyrjes nuk dihet ende, pasi i vetmi person që flet për këtë është presidenti Aleksandër Vuçiç.
“Ne ndjekim numrat e telefonit, mbi të gjitha ata italianë”, u tha Vuçiç gazetarëve më 19 Mars. “Nuk po përgjojmë”, tha ai. “Ne po ndjeim lëvizjet e tyre, njerëz me numra italianë që përdorin roaming. Dhe po, ata po lëvizin.”
Ai tha se policia do t’i kushtonte vëmendje të veçantë zonave ku ka “një fluks të madh njerëzish nga jashtë” dhe ku “ne i shohim ata duke lëvizur”.
“Mos u përpiqni të na mashtroni duke e lënë celularin në një vend, ndërkohë që vetë lëvizni, sepse do të gjejmë një tjetër mënyrë për të gjurmuar ata që shkelin rregullat e përcaktuara nga shteti, si dhe ku.
Por Danilo Krivokapiç, drejtor i “Share Foundations”, tha se sipas kushtetutës serbe, e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale si e drejtë e njeriut është e garantuar edhe gjatë llojit të gjendjes së jashtëzakonshme që është aktualisht në fuqi në Serbi.
Sipas Ligjit për Komunikimin Elektronik (neni 128), qasja në të dhënat telefonike celulare (përfshirë gjeolokacionin) lejohet vetëm me urdhër gjykate.
“Kjo do të thotë se çdo qasje në këto të dhëna pa një urdhër gjykate është e paligjshme për momentin”, tha Krivokapiç BIRN. “Një gjendje e jashtëzakonshme nuk e lejon qeverinë të shkelë ligjet në mënyrë arbitrare, por ekziston një procedurë specifike nëse disa nga të drejtat duhet të kufizohen.”
Arrestime për “postime” që përhapin panik
Nga WhatsApp-i deri në Facebook, lajmet e rreme dhe propaganda kanë mbushur rrjetet sociale nga Turqia në Sllovaki.
Në shumë raste, media tradicionale dhe ajo online ishin pjesë e makinerisë së dezinformimit.
Turqia, Serbia, Hungaria dhe Mali i Zi kanë vendosur gjoba të rënda dhe kanë kryer arrestime për postimet në mediat sociale që, sipas autoriteteve, shkaktojnë panik dhe vënë në rrezik sigurinë.
Meqenëse shumica e shteteve kanë vënë në zbatim ligjin e emergjencës, shumë prej rasteve përfunduan me gjoba drakoniane ose paraburgim pa justifikim ligjor.
Vetëm në dy javët e fundit, më shumë se 80 persona u arrestuan dhe të paktën 260 u gjobitën për shpërndarje lajmesh të rreme, sipas të dhënave të marra nga BIRN.
Njësia Kundër Krimit Kibernetik e policisë hungareze arrestoi disa njerëz për shpërndarje të lajmeve të rreme, duke nisur që nga fillimi i shkurtit kur policia mësyu operatorët e një rrjeti faqesh lajmesh të rreme.
Këto faqe online kishin kohë që operonin, por u mbyllën nga policia vetëm pasi filluan të raportojnë për praninë e koronavirusit në Hungari, përpara se autoritetet të konfirmonin se virusi ishte i pranishëm në vend.
Policia filloi më pas monitorimin e mediave hungareze online për lajme të rreme në lidhje me koronavirusin. Në mes të marsit, një përdorues i YouTube u arrestua për shpërndarjen e lajmeve të rreme për një izolim në kryeqytet, Budapest.
Edhe mediat e pavarura ranë pre e sulmeve të qeverisë pasi publikuan artikuj për kujdesin shëndetësor në Hungari. Shumë njerëz druhen se legjislacioni i propozuar do të shtonte sulmet ndaj mediave të pavarura dhe do të legalizonte ndëshkimet drakoniane për çfarëdolloj gjëje që autoritetet e konsiderojnë si lajm të rremë.
Një projektligj, që pritet të miratohet nga parlamenti javën e ardhshme, saktëson se kushdo që bën publikisht ose shpërndan pretendime të pavërteta ose pretendime të vërteta që janë të shtrembëruara për të ndaluar ose frustruar rezultatet e masave mbrojtëse, rrezikon nga një deri në pesë vjet burg.
Sipas policisë hungareze, tashmë ka procese të hapura kundër 14 personave për përhapjen e thashethemeve dhe kundër 12 personave të tjerë për vënie në rrezik të publikut.
Në Serbinë fqinje, ku tashmë ekzistojnë ligje emergjence, katër persona u arrestuan javën e kaluar nën dyshimin se shkaktuan panik dhe trazira.
Të enjten një burrë u arrestua në Beograd pasi ndau informacione të rremë përmes një grupi në Viber se pikat e karburanteve nuk do t’i shërbenin më individëve. Të njëjtën ditë, policia në Krusevac, në Serbinë qendrore, arrestoi një burrë tjetër për postimin e informacioneve për dikë që pretendohej se ishte i infektuar me Covid-19. Një tjetër person u arrestua në qytetin Pozarevac pasi shpërndau informacione të rreme për dyqanet dhe pikat e karburantit.
Në Mal të Zi, një burrë u mbajt në paraburgim për 30 ditë pasi pretendoi në Facebook se zyrtarët e shtetit po fshehin shifrat e vërteta të rasteve me koronavirus në Mal të Zi.
Në Turqi, sipas ministrisë së brendshme, 242 të dyshuar që publikuan lajme të rreme dhe provokuese për koronavirusin në rrjetet sociale, konsiderohen të dyshuar, 64 prej të cilëve janë ndaluar. Midis tyre, shtatë ishin gazetarë.
Të enjten qeveria e Republikës Srpska lëshoi gjithashtu një dekret që ndalon shkaktimin e “panikut dhe prishjes së rendit” gjatë një gjendje të jashtëzakonshme. Vendimi i qeverisë mbulon edhe publikimin dhe transmetimin e lajmeve të rreme nga mediat dhe në rrjetet sociale.
“Shkelësit nuk do të jenë në gjendje të fshihen, edhe në rrjetet sociale. Ne do t’i gjejmë”, tha ministri i brendshëm Dragan Lukaç.
Ata që zbulohet se kanë nxitur panik dhe kanë përhapur lajme të rreme do të dënohen me gjobë që varion nga 1,000 deri në 3,000 marka boshnjake (nga 500 deri në 1,500 euro), dhe firmat nga 3,000 deri në 9,000 marka boshnjake (nga 1,500 deri në 4,500 euro). Deri më tani, një grua është gjobitur për një postim në Instagram.
Avokatja Tatjana Savic tha se nuk ishte e drejtë të protek që të gjithë të përcaktojnë nëse informacioni në një mjedis digjital është i saktë.
“Nuk mund të jenë qytetarët ata që duhet të vërtetojnë lajmet”, tha Saviç për BIRN. “Parandalimi i përhapjes së panikut është një qëllim legjitim i qeverisë, por me këtë lloj legjislacioni barra u mbetet qytetarëve për të ditur nëse çdo lajm që ata ndajnë në rrjetet e tyre sociale është apo jo i saktë.”
“Druhem se shumë deklarata që njerëzit i publikojnë si mendime të tyre do të konsiderohen si shkelje sipas këtij ligji.”
Gazetari e dobët, besim i ulët
Postimet për të qeshur dhe propagandë shpërndahen në mediat kryesore, por edhe në rrjetet sociale – Facebook, Instagram dhe Tëitter, si edhe nëpër aplikacionet si WhatsApp dhe Viber.
Marija Vuciç, një gazetare e Raskrikavanje, portali për kontrollin e vërtetësisë i Rrjetit për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit, KRIK, tha se grupi po punonte me lajmet e rreme në Serbi.
“Ka shumë lajme të rreme, nëpër rrjetet sociale, por edhe në tabloidë”, tha Vuciç për BIRN. “Sapo të hyj në faqen e internetit të një tabloidi, brenda gjysmë minute mund të gjej lajme të rreme për koronavirusin.”
Ivana Zivkoviç, nga faqja kroate e internetit Faktograf, shprehu gjithashtu shqetësimin për sasitë e mëdha të informacioneve të rreme.
“Një problem akoma më i madh janë grupet në WhatsApp dhe platforma të ngjashme komunikimi, të cilat gjithashtu mbajnë një sasi të madhe dezinformimi”, tha Zivkoviç për BIRN, duke paralajmëruar se në grupe të tilla të mbyllura, keqinformimi është më i vështirë për t’u shtypur.
“Ata që e përhapin këtë, e bëjnë më shumë për përfitime, pasi një përmbajtje false që mund të shkaktojë panik krijon trafik dhe ata marrin para nga reklamat. Ekzistojnë gjithashtu edhe propagandues dhe përhapës të teorive të komplotit.”
Në shumicën e rasteve, ndërkohë që dezinformimi mund të mos jetë dashakeq, ai është rezultat i gazetarisë me cilësi të dobët, argumenton David Bailey.
“Njerëz që nuk kontrollojnë faktet që nuk bëjnë kërkime të thjeshta për të verifikuar burime të arsyeshme”, tha Bailey.
“Bashkë me tituj tërheqës, lexuesit normalë thjesht e shpërndajnë lajmin pa u menduar gjatë. Rezultati atëherë është i dukshëm. Gjithashtu është e habitshme se si gazetarë online ose jo nuk përdorin faqen në internet të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilët ofrojnë informacione përfundimtare.”
Indeksi Media Literacy 2018 i Institutit Shoqëria e Hapur në Sofje thotë se vendet e Ballkanit janë më të prirurit në Europë për lajme të rreme – për shkak të mediave të tyre tepër të kontrolluara, niveleve të ulëta arsimore dhe niveleve të ulëta të besimit në shoqëri.
Një ansketim i bërë nga Instituti Reuters thotë se mediat në Europën Juglindore janë shumë e larmishme, por vuajnë nga polarizimi, varësia financiare nga oligarkët dhe nivelet e larta të mosbesimit nga ana e publikut.
E njëjta histori është edhe në Europën Qendrore.
Ekspertët thonë se publiku sllovak është jashtëzakonisht i prirur të besojë teoritë e komplotit.
Në vitet e fundit, shumica e mjeteve dhe nismave anti-propaganduese erdhën nga aktivistë në sektorin joqeveritar, të cilët përpiqen të shënjestrojnë faqe interneti konspirative, lajme të rreme ose fushata dezinformuese në rrjetet sociale. Infrastruktura shtetërore në këtë fushë është e kufizuar dhe komunikimi zyrtar në lidhje me rrengat ose lajmet e rreme shpesh është kaotik.
Krissak, i Fondacionit të Shoqëria e Hapur, tha se përpjekjet e shtetit bëjën shumë pak.
“Sot shteti duhet të ndërtojë me shpejtësi kapacitetet që mungojnë në komunikimin e tyre strategjik ndaj qytetarëve dhe duhet të kërkojë një kontroll më të gjerë të përmbajtjes nga Facebook dhe Google, të cilët vazhdojnë ta adresojnë këtë fushë kryesore të sigurisë me papërgjegjshëri dhe dashamirësi”, tha ai.
Në Maqedoninë e Veriut, gazetarja dhe aktivistja Teodora Cvetkovska tha se arsimimi i mediave ishte gjithashtu i dobët.
“Është një periudhë shumë e rrezikshme, ka një rritje të rasteve me koronavirus dhe ne mbishemi me lajme të tilla si:”Ja si mund ta kuroni koronavirusin”,”10 mënyra për transmetimin e virusit”. Përsëri, në këta artikuj nuk ka fakte apo burime që mund t’i vërtetojnë ato”, tha Cvetkovska.
“Njerëzit këtu mund të bien lehtësisht pre e informacioneve të tilla, sidomos duke qenë se edhe ne jemi një komb që lexon vetëm titullin dhe jo të gjithë artikullin nga fillimi në fund.”
Ahmet Erdi Ozturk, një profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Metropolan në Londër, tha se lajmet e rreme besohen më lehtë në vendet ku shtetet shpesh manipulojnë të dhënat.
Qytetarët turq, tha ai, humbën besimin e tyre te qeveria për shkak të disa fushatave dezinformuese të udhëhequra nga qeveria nën presidentin Rexhep Tajip Erdogan.
“Qeveria turke shumë herë manipuloi fakte dhe media në favorin të saj”, tha Ozturk.
Sipas Funk, nga Freedom House, njerëzit duhet të jenë vigjilentë për të dalluar veprime të qeverisë të ndërmarra në mënyrë të ligjshme për të adresuar shëndetin publik, veprime që dëmtojnë përpjekjet për t’u marrë me pandeminë dhe momentet kur liderët politikë thjesht po përpiqen të përfitojnë nga situata.
“Përdoruesit e zakonshëm gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk po konsumojnë apo përhapin dezinformata”, tha Funk për BIRN. “Ata duhet t’i marrin informacionin e tyre nga burime të besueshme, të tilla si organizata shëndetësore ndërkombëtare dhe vendase dhe media të pavarura.”
Për një përmbledhje më të detajuar të arrestimeve arbitrare, mbikëqyrjes, përgjimeve telefonike, shkeljeve të privatësisë dhe shkeljesh të tjera të të drejtave digjitale në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, shikoni platformën tonë të monitorimit të të dhënave.
Në rast se dëshironi të raportoni një shkelje në internet në lidhje me shpërthimin e koronavirusit, plotësoni formularin këtu.