Ka shkuar në 289 numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Britaninë e Madhe. Katër raste të reja u shënuan në Skoci dhe po aq në Uells.
Numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Uells ka shkuar në 16, ndërsa në Skoci 14. Anglia mbetet me numrin bindshëm më të madh të viktimave – 257.
Së paku 5 mijë e 680 njerëz në tërë Britaninë e Madhe janë konfirmuar si të infektuar, por ekspertët besojnë se ky numër është shumë më i madh – mbi 300 mijë – sepse qeveria po i teston vetëm njerëzit që janë hospitalizuar shkaku i virusit.
Në Skoci janë rreth 500 raste të infektimeve, në Uells 418 dhe në Irlandën Veriore 128. Shumica e rasteve janë shënuar në Angli me 4 mijë e 792 persona të infektuar.
Qeveria britanike po përballet me kërkesa për t’i ashpërsuar masat kundër përhapjes së virusit dhe t’i marrë si shembuj vendet e tjera të Evropës, shkruan “Daily Mail.
Në shumë hapësira publike, përfshirë trenat, po shihen grumbuj të mëdhenj të njerëzve, të cilët nuk kanë fare distancë mes vete, duke e shtuar rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Qytetarët britanikë po bëjnë panik edhe për të siguruar ushqime rezervë, duke krijuar radhë të gjata para dyqaneve, pavarësisht deklaratave se vendi nuk rrezikohet nga mungesa e prodhimeve të nevojshme.