Sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një paketë përgjigjeje si në kohë lufte ndaj pandemisë së koronavirusit nga ana e G20-ës, grupimit të fuqive kryesore ekonomike të botës.
”Drejtuesit e G20 duhet të injektojnë burime masive në ekonomi duke arritur në pikë përqindje dyshifrore në Produktin e Brendshëm Bruto të botës”, tha Guterres në një letër, të parë nga agjencia gjemane e lajmeve, DPA.
Ai tha se fatura e koordinuar e stimulimit duhet të jetë “në triliona dollarë” për të ndihmuar vendet e varfra.
“Ne duhet të krijojmë kushte dhe të mobilizojmë burimet e nevojshme për të siguruar që vendet në zhvillim të kenë mundësi të barabarta për t’iu përgjigjur kësaj krize në komunitetet dhe ekonomitë e tyre”, shkroi shefi i OKB.