Në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë është vendosur një tendë për triazhimin e pacientëve, por që me përmasat e saj nuk shërben për asgjë.
Kjo tendë është vendosur pas paraqitjes së rasteve të para me coronavirus në komunën e Podujevës, pas kërkesës së bërë nga drejtori i QKMF-së.
Drejtori i QKMF-së në Podujevë, Fahri Llugaliu, ka thënë për Telegrafin se tenda nuk i plotëson kushtet dhe se triazhimi i pacientëve po bëhet në një vend të veçantë brenda QKMF-së.
“Ministria e Shëndetësisë përmes Kryqit të Kuq ka bërë vendosjen e tendës për triazhimin e pacientëve në oborrin e QKMF-së, mirëpo ajo nuk i plotëson kushtet sepse është shumë e vogël. Triazhimi për momentin është duke u kryer pa problem, sepse personeli është vendos në hapësira të QKMF-së në një vend të veçantë dhe është në funksion”, deklaroi Fahri Llugaliu.