Rritja dramatike e numrit personave të infektuar me koronavirus në mbarë botën ditët e fundit, ka rritur edhe nivelin e alarmit tek qeveritë dhe qytetarët, dhe rrjedhimisht edhe të masave më të ashpra kufizuese dhe efektive për të frenuar epideminë.
Nga Italia në Izrael dhe deri në Shteteve të Bashkuara, mes propozimeve të bëra, ekziston edhe ajo e përdorimit në një mënyrë më të gjerë të paisjeve teknologjike që janë në dispozicion, sidomos të atyre që mundësojnë gjurmimin e lëvizjes së njerëzve.
Këto mjete, mund të përdoren për dy qëllime. Nga njëra anë për të lokalizuar sa më shpejt personat e infektuar me koronavirus, dhe ata që kanë qenë në kontakt me ta, çka do të mundësonte prishjen e zinxhirit të infekimit dhe zvogëlimin e numrit të të vdekurve.
Nga ana tjetër, do të shërbente për të identifikuar njerëzit që nuk respektojnë rregullat e distancimit social, siç kanë nisur të zbatohen ditët e fundit në Itali, duke vepruar si një mekanizëm parandalues. Shembujt më të cituar janë ato të Kinës, ku qeveria i ka shfrytëzuar gjerësisht sistemet e saj të mbikëqyrjes masive, për të identifikuar personat e infektuar ose të rrezikuar nga infektimi, duke përdorur në veçanti sistemet e njohjes së fytyrës dhe aplikacionin ËeChat.
Një shembull tjetër, është ai i Koresë të Jugut. Ashtu si Italia, ajo është detyruar të përballet me një përhapje të madhe të epidemisë, por në dallim nga fqinji ynë, ia ka dalë që të frenojë atë dhe të kufizojë numrin e të vdekurve.
Sipas autoriteteve në Seul, ky rezultat është arritur falë një strategjie të dyfishtë:shumë teste të kryera edhe tek njerëzit që nuk shfaqnin simptoma, si dhe gjurmim të të infektuarve duke shqyrtuar të dhënat e telefonit të tyre celular, GPS, kartat e kreditit dhe kamerat e mbikqyrjes.
Nuk është ende e qartë, se në çfarë mase ky sistem gjurmues ishte vendimtar në frenimin e epidemisë. Por fakt është që shumë politikanë dhe ekspertë perëndimorë, po citojnë shpesh citojnë rastet e Kinës dhe Koresë së Jugut, si një model që duhet ndjekur.
Më 10 mars, një grup sipërmarrësish të teknologjisë, programues dhe drejtues të kujdesit shëndetësor, bënë publike një letër të hapur, në të cilën u kërkohej kompanive të teknologjisë që të bënin më shumë për të luftuar koronavirusin, duke pretenduar ndër të tjera se modeli i përdorur nga Kina dhe Koreja e Jugut, është “kudo” i eksportueshëm.
Dhe në fakt që nga nisja e emergjncës, administrata Trump ka qenë në kontakt me Facebook, Google dhe kompani të tjera, për të krijuar sisteme mbikëqyrëse, duke përdorur të dhënat nga smartfonët e amerikanëve. Dhe ndërsa ndërsa numri i të infektuarve po rritet në një mënyrë eksponenciale, agjencitë qeveritare kanë nisur të përdorin apo marrin në konsideratë përdorimin e një gamë të gjerë teknologjish të mbikqyrjes.
“Tek këto projekteve ka gjithçka, nga sistemet që i japin mundësi autoriteteve të monitorojnë vendndodhjen e qytetarëve përmes smartfonave të tyre, deri tek teknologjia e njohjes së fytyrës, të cilat mund të analizojnë imazhet për të kuptuar se kush ka rënë në kontakt me një person që ka rezultuar pozitiv me COVID-19”- shkruan gazeta amerikane “The Wall Street Journal”.
Liderë në këtë fushë janë gjigantët e zakonshëm të Silicon Valley, si Google, Facebook dhe Amazon, të cilat bashkëpunojnë me Shtëpinë e Bardhë. Por pas tyre qëndrojnë dhjetëra kompani më të vogla, të cilat shpresojnë t’u shesin programet e tyre autoriteteve shëndetësore dhe administratave shtetërore dhe lokale.
“Palantir’, një kompani që siguroi informacione jetike ushtrisë amerikane për të gjetur dhe eleminuar Osama Bin Ladenin në vitin 2011, është duke bashkëpunuar me Qendrat e Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve bnë SHBA, për të monitoruar ecurinë e pandeminë.
Në këtë proces përfshihet edhe “Clearview”, një kompani që operon në sektorin e njohjes së fytyrës, dhe mbi të cilën në SHBA kanë shpërthyer debatet kohët e fundit, për shkak se bashkëpunon me disa departamente policie. Një tjetër vend shumë aktiv në këtë fushë është Izraeli.
Më 16 mars, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanjahu, miratoi një dekret që autorizon agjencinë e brendshme të sigurisë (Shin Bet) të marrë shumë të dhëna nga telefonat celularë të qytetarëve. “The New York Times”, shpjegon se këto të dhëna, që ishin mbledhur fshehurazi gjatë luftës kundër terrorizmit, do të përdoren për të gjurmuar lëvizjet e njerëzve që janë prekur nga koronavirusi.
Ideja, shpjegon gazeta, është që të përdorin të dhënat e gjeolokacionit të miliona klientëve të kompanive celulare në Izrael dhe Bregun Perëndimor, për t’i identifikuar njerëzit që kanë qenë në kontakt të ngushtë me persona të infektuar, dhe t’u dërgojë atyre mesazhe me tekst, që të futen menjëherë në izolim.
Ata që nuk e bëjnë këtë, do të përballen me 6 muaj burg. Masa të ngjashme, po merren në konsideratë të zbatohen dhe në Itali. Më 21 mars, Valter Riçiardi, këshilltari shkencor i Ministrit të Shëndetësisë, deklaroi për gazetën italiane “La Repubblica:”Sa më shumë shoh të dhënat e Koresë së Jugut, aq më shumë bindem që ne duhet të ndjekim strategjinë e Seulit. Tashmë kemi ngritur një grup, që po studion dhe përcakton detajet’.
Riçiardi, argumenton se ky sistem mund të “çlirojë” një pjesë të popullatës:”Duke identifikuar të infektuarit dhe kontaktet e tyre, ne mund t’u garantojmë të gjithë të tjerëve që nuk kanë probleme që të lëvizin lirshëm”. Dhe në fakt, Koreja e Jugut, shpjegon artikulli, nuk i ka vendosur qytetet e saj në karantinë për shkak të epidemisë.
Në të njëjtin artikull Enriço Buçi, ndihmësprofesor i biologjisë së sistemeve në Universitetin Tempëll në Filadelfia, argumenton se strategjia e Koresë së Jugut mund të ishte e dobishme edhe për rajonet e Italisë së Jugut, “ku nuk ka pasur shumë mbërritje të pakontrolluara nga veriu, dhe për pasojë ka një numër shumë të vogël të infektuarish”.
Por në të gjitha vendet ku janë marrë ose propozuar masa të ngjashme, janë shfaqur dyshime. Disa pyesin nëse këto teknologji mund të jenë vërtet efektive në kufizimin e përhapjes së koronavirusit. Në një artikull në “Wired” ndër të tjera thuhej:”Telefonat në përgjithësi janë në gjendje të përcaktojnë pozicionin e një personi me një diferencë gabimi midis 7-13 metrash në zonat urbane, dhe shpesh janë edhe më pak të saktë. Koronavirusi duket se përhapet në mesin e njerëzve që rrinë shumë afër njëri-tjetrit”.
Në këtë artikull Hana Fraj profesor në Kolegjin Universitar në Londër, shpjegon:”Përdorimi i të dhënave të mbledhura përmes telefonave, për të kuptuar nëse dikush ka qenë apo jo në kontakt me një person të infektuar, nuk është dhe aq i thjeshtë. Ju mund të uleni pak metra larg një personi, dhe të mos jeni në rrezik për t’u infektuar. Ndërkohë, mund të udhëtoni me autobus në një vend ku është ulur më herët një person i infektuar, dhe të jeni në rrezik”.
Pasaktësia e të dhënave, është një problem serioz, dhe sipas Fraj kjo gjë “mund të krijojë tek njerëzve një ndjenjë të rreme sigurie, dhe të inkurajojë sjellje të rrezikshme”. Pastaj është dhe problemi i cënimit të privatësisë dhe ai i kufizimit të lirive individuale, në një kohë kur qeveritë në të gjithë botën, po marrin masa të pashembullta për t’u marrë përballur me epideminë. Në SHBA, kritikët thonë se në të ardhmen qeveria dhe kompanitë private, do të kenë qasje në një sasi të madhe informacioni mbi qytetarët, madje edhe mbi historitë shëndetësore të miliona njerëzve./ “Internazionale”-Përshtatur nga CNA.al