I dënuar për vepër penale me 9 muaj burg efektiv me vendim të prerë, me Aktgjykim të plotëfuqishëm të Gjykatës së Apelit, Agim Ademi vazhdon të sfidoj Gjyqësorin e Kosovës, madje ditëve të fundit nuk po respekton as vendimet e Qeverisë së Kosovës, për të mos mbajtur takime gjatë këtyrë ditëve që po përballemi me poandeminë e koronavirusit.
Edhe pas më shumë se tri javë prej se Agim Ademit i është konfirmuar dënimi me burg efektiv prej 9 muaj, ai ende nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Për me keq, Ademi në vend që të lëshoj rrugë e të largohet nga posti, ka zgjedhur të bëjë fushatë, duke zhvilluar një sërë takimesh në disa klube fubollistike.
Edhe pse Statuti i FFK-së dhe Ligji i Punës, Agim Ademit nuk ia lejojnë që të vazhdojë punën në futbollin tonë, kjo nuk e ka penguar Agim Ademin që për 4 ditë të bëjë 17 vizita në klubet e Kosovës, duke dalë kunder vendimit të Qeverisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), nga të cilat në vazhdimësi po apelohet për të qëndruar të izoluar.
Agim Ademi, ka vazhduar me vizita në terren, duke rrezikuar të tjerët pa bërë ndonjë analizë paraprake për të parë se a është i infektuar, pasi ai para disa ditëve është kthyer nga vizitat që i kishte në Evropë.
Agim Ademi ka vizituar Vushtrrinë, Mitrovicën, Skënderajn, Lipjanin, Dobrajën, Ferizajn, fshatin Rakaj të Ferizajt, Vitinë, Gjilanin, Kamenicën e Pozheranin, Fushë Kosovën dhe Feronikelin e Drenasit, Prishtinën e 2 Korrikun.
Këto vizita janë në kundërshtim me të gjitha udhëzimet e ekspertëve shëndetsorë dhe rekomandimeve të Institucioneve tona.
E tashmë në vend janë shtuar thirrjet që të evitohen në maksimum lëvizjet. Është vendosur, ndër të tjera, të mbyllen shkollat, universitetet, qendrat tregtare e parqet, por kjo nuk e ka ndaluar Agim Ademin që të mos i bindet rekomandimit të ekspertëve dhe vendimit të Qeverisë për të qëndruar në shtëpi.
Burime te FaktePlus kuptojnë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit dhe mos dorëheqjes së tij nga pozita e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi po frikohet se klubet mund të thërrasin Kuvendin për shkarkimin e tij, pasi sipas Statutit – nenit 24, ai nuk mund me qenë as anëtar i FFK-së e lere më të mbaj pozitë udhëheqëse.
Përfaqësues të klubeve të Superligës të cilët ishin në takim me sekretarin e FFK-së, Eroll Salihun deklaruan pas takimit se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Agim Ademit ju ka marrë e drejta e nënshkrimit nga vetë sekretari i Salihu.
Prandaj nga frika se klubet do të thërrasin Kuvendin e FFK-së për shkarkimin e tij, Agim Ademi ka dalë në teren për të kërkuar përkrahje nga klubet, duke ju premtuar ndihma financiare.
Ndërkohë është duke investuar në Bernicë në fushë me bari sintetik në ish klubin e tij Kosova e Prishtinës, e cila para një viti është fuzionuar me klubin A&N.
Agim Ademi është përballur me akuzën se ka kërcënuar për vdekje një person
Kujtojmë se kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është përballur në gjyq me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Aktakuza përbëhet nga dy pika.
Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.
Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMË X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.