Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për rastet e referuara nga policia lidhur me abuzimet e çmimeve të produkteve ushqimore dhe farmaceutike. Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha për BIRN se veç procedimit të këtyre rasteve, janë duke u hetuar edhe rastet e personave te cilët janë kapur në ambiente publike gjatë orareve të kufizimit të lëvizjes të cilët kanë kryer njëkohësisht edhe vepra penale
“Raste të arrestimit për personat që thyejnë kufizimet ka vetëm nëse shoqërojnë veprimin e bërë me një vepër tjetër penale si ajo e kundërshtimit të punonjësit të policisë. Vijojnë hetimet lidhur me çështjet që lidhen me abuzimin me çmimet e produkteve ushqimore dhe farmaceutike”, sqaron Imeraj.
Ajo shton se prej datës 21 Mars, nga komisariatet janë referuar shtatë arrestime për veprat penale të vjedhjes, dhunës në familje, mbajtjes pa leje të armëve dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Policia e Shtetit ka njoftuar në vijimësi masat administrative të marra për thyerjen e masave të kufizimit të lëvizjeve dhe arrestimet e kryera.
Në njoftimin e të martës thuhet se, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 85 shtetas me masë administrative 10 mijë lekë, pasi janë konstatuar duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë arsye apo emergjencë. Ndërkohë, 109 drejtues mjetesh kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti. Sipas policisë, në të gjithë vendin janë konstatuar 15 lokale që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative me gjobë në vlerën 100 mijë lekë për secilin.
Ndërkohë, një 30-vjeçar u ndalua pasi ecte në këmbë në zonën e “Komunës së Parisit” gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes dhe kundërshtuar uniformat blu. Të riut i janë gjetur me vete disa doza lënde narkotike cannabis sativa dhe kokainë që dyshohet se i shpërndante. Ndërsa në Berat është arrestuar A. Ç. 48 vjeç, pasi është kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Të hënën policia njoftoi ndëshkimin me masë administrative 10 mijë lekë të 278 shtetasve të cilët kanë lëvizur jashtë orarit të përcaktuar. Gjithashtu, janë evidentuar 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe 3 lokale që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes. Po të hënën u bë me dije edhe arrestimi i dy personave në Tiranë gjatë orarit të kufizimit të daljes, njëri pasi ka kundërshtuar me dhunë policinë dhe tjetri për shkak se drejtonte pa leje një motoçikletë.
Të dielën u njoftua nga policia se, në gjithë vendin u ndëshkuan 154 shtetas me masë administrative në vlerën 10 mijë lekë secili, pasi u konstatuan duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë arsye apo emergjencë. Gjatë të shtunës dhe orëve të mëngjesit të së dielës 129 drejtues mjetesh u kapën duke shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe u ndëshkuan me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Kryeministri Edi Rama njoftoi paraditen e të shtunës ndëshkimin dhe përdorimin e forcës, ujit apo gazit lotsjellës ndaj atyre që nuk respektojnë oraret e kufizimit të lëvizjes. Ai tha se do të ketë penalizime deri në mohimin e ndihmës financiare, bursat e studentëve apo rimbursimet e barnave. Prej të shtunës lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 deri në orën 13:00.