
Në një kohë kur vendi ynë po përballet me raste që shtohen dita ditës me COVID-19, Gjykatat në të gjithë Republikën e Shqipërisë kanë pezulluar veprimtarinë, siç janë dhe seancat gjyqësore.
Në këtë vendim të siguruar për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala, thuhet se duke nisur nga dita e sotme, gjykatat do të ndërpresin punën, deri në 7 prill.
Por vendimi në fjalë veçon disa seanca gjyqësore.
VENDIM
Nr.128, datë 24.03.2020
PËR
VIJIMIN E PEZULLIMIT TE VEPRIMTARISË DHE SHËRBIMEVE GJYQËSORE NË TË GJITHA GJYKATAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin61 të Ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në Vendimin e datës 09.03.2020 të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirusi i ri, ne Vendimin e KLGJ nr. 127 date 10.03.2020 “Per pezullimin e veprimtarise dhe sherbimeve gjyqesore ne te gjitha gjykatat ne Republiken e Shqiperise”, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga
COVID-19,
VENDOSI:
- Vijimin e pezullimit te veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni i përhapur Covid-19.
- Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari.
- Përjashtohen nga efektet të këtij pezullimi, seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre.
- Në çdo rast nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore.
- Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë për një periudhë 2 (dy) javore duke filluar nga data 25.03.2020 deri me date 07.04.2020.
- Kryetarët e gjykatave ngarkohen të marrin të gjithë masat për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë me publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.