Biznesmeni Nadir Çausholli është ndoshta ndër emrat më të përmendur në media. Në vitin 2015, biznesmeni Çausholli u arrestua në lidhje me skandalin e recetave të rimbursueshme ku më parë po për të njëjtën mënyrë vjedhje të parave publike u gjykuan dhe ish-zyrtar të drejtorisë rajonale të Fondit të Kujdesit Shëndetësorë Tiranë.
Nadir Çausholli ne Gjykate
Por ai u lirua vetëm një vit më vonë, në tetor të vitit 2016.
Por, emri i Çaushollit u rikthye sërish në vëmendjen mediatike rreth një vit më parë, kur Televizioni Kombëtar, Top Channel, filloi një “luftë” të ashpër me një ndër kompanitë kryesore farmaceutike në vend, CFO Pharma, me pronar biznesmenin Nadir Çausholli.
Gjithçka filloi në muajin shkurt të vitit 2019, ku emisioni Top Story, në një kronikë të datës 27 shkurt akuzonte Fondin e Kujdesit Shëndetësor, se favorizonte një kompani farmaceutike, në lidhje me barnat e rimbursueshme, edhe pse nuk përmendej emri i kompanisë. (Lexo ketu)
Më pas u bënë edhe dhjetëra kronika nga gazetarët e Top Channel në lidhje e këtë kompani farmaceutike, ndaj të cilës hidheshin akuza të forta.
Në 23.03.2019, u publikua një denoncim, për një produkt të kompanisë CFO Pharma. Bëhet fjalë për një ilaç të quajtur “Oledrohot”, që përdoret si antigripal. Video u publikua nga Lolita, e cila pretendonte se është denoncuar nga një farmaciste, dhe thuhej se këtij bari i fshihet data e skadencës.
Në lidhje me këtë denoncim, Gazeta Shqip shkruante se “Oledrohot” vjen nga kompania CFO Pharma, me administrator Nadir Çaushollin. Ky i fundit është akuzuar në të kaluarën për skandalin e rimbursimit të barnave, duke i shkaktuar një dëm prej 2.2 milion eurosh. Por pas një procesi gjyqësor, fitoi pafajësinë dhe sot është rikthyer në tregun farmaceutik. (Lexo këtu) .
Por, kronikat vijuan më tej ditë pas dite. Në datën 17.04.2019, Top Story akuzonte biznesmenin Nadir Çausholli, se kishte përdorur ka përdorur një portal për të denigruar Top Story-n dhe televizionin Top Channel, duke iu referuar kështu një shkrimi të datës 28 Shkurt 2019 në këtë portal, që drejtohet nga gazetari Çim Peka.
Top Story pretendonte se rasti konkret i publikuar nga syri.net, tregon më së miri se si ky portal është vënë në shërbim të shpifjes, me një shkrim të sponsorizuar nga biznesmeni Çausholli. (Lexo këtu)
Në 18.04.2019, sipas, Top Channel Çausholli është thirrur në prokurori, me akuzën shantazh ndaj mediave.
“Një ditë pas transmentimit të Top Story, biznesmeni Nadir Çausholli u thirr sot në prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me letrën e dërguar prej tij tek Ministria e Financës.
Në letër, biznesmeni kishte keqpërdorur emrin e autorit të Top Story-t për të nxitur një konflikt me pronarin e Ora Neës, Ylli Ndroqin.”-thuhej në kroniken e Top Channel. (Lexo këtu)
Në një tjetër kronikë të datës, 17.05.2019, Top Channel akuzon kompaninë farmaceutike se ua shet pensionistëve një ilaç për veshkat, 180 herë më shtrenjtë. (Lexo ketu)
Në 20.05.2019, Top Channel publikon një tjetër kronikë, ku ndër të tjera thuhej se “Mashtrimi me çmimin e shitjes së ilaçit Soludamin nga kompania CFO Farma është shtrirë në të gjithë vendin. Të afërmit e të sëmurëve me veshka thonë se u është dashur të kufizojnë ushqimin e fëmijëve për të blerë ilaçin që shitet 180 herë më shtrenjtë se çmimi që duhet të ishte.”
Gazetarët tanë në rrethe gjetën fakte në vijim të denoncimit të Top Channel dy ditë më parë. Ndërkohë që në farmaci të njëjtin ilaç e gjen me etiketa false me çmim 1300 lekë dhe me etiketë të rregullt me çmim 74 lekë. E gjithë kjo skemë mashtrimi po hetohet nga autoritetet shtetërore, ndërsa janë grumbulluar fakte mjaftueshëm. (Lexo këtu)
Në 21.05. 2019, Top Channel publikoi një tjetër kronikë, ku thuhej se pas publikimit të kronikës në lidhje me mashtrimin me ilaçin e veshkave, policia i është drejtuar prokurorisë.
“Top Channel mëson se grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe administratorin e CFO Farma Nadir Çausholli i cili gjithë mashtrimin me qindra milionë lekë e ka justifikuar me një gabim njerëzor në vendosjen e pullave të çmimit.
Kujtojmë se ilaçi soludaim që duhet të shitet vetëm 74 lekë, kompania i vendoste çmimin 1300 lekë.”-thuhej në kronikën e Top Channel. (Lexo ketu)
Në 30.05.2019, në një kronikë të Top Channel, pretendohej se administratori i kompanisë CFO Farma. Ai është pyetur se pse medikamenti me emërtimin soludaminë është shitur nga kompania e tij me çmim 180 herë më të lartë dhe me etiketë false.
“Nadir Çausholli e justifikon këtë fakt me një gabim njerëzor në vendosjen e etiketës, por ndërkohë ky ilaç me etiketë false dhe çmim të rritur është ende në treg.
Sot më 23 maj, në Korçë të sëmurët me veshka e kanë blerë këtë ilaç 13 mijë lekë të vjetra ndërkohë që në farmaci para pak ditësh ka ardhur furnizimi me etiketën e re dhe cmim 180 herë më pak.
Këto 2 ilaçe me çmime të ndryshme janë prova se është shkelur neni 143 dhe 188 i kodit penal që parashikojnë dënimin nga gjobë deri në 5 vite burg. Këto prova dhe të tjera të paraqitura para prokurorisë janë të mjaftueshme që kjo dosje penale për zhavtje të të sëmurëve të mos mbyllet nga ana e prokurorisë së Tiranës.”-thuhej në kronikën e Top Channel. (Lexo ketu)
Në 03.06.2019 , Top Channel transmetoi një tjetër kronikë, ku thuhej se “Hetimet për mashtrimin me ilacin soludaminë kanë ngecur edhe pse ekzistojnë të gjitha faktet dhe provat se kompania CFO Farma ka mashtruar në treg duke shitur një ilaç 18 herë më shtrenjtë, por edhe ka faksifikuar dokumentet shtetërore”. (Lexo ketu)
Në datën 05.06.2019, Top Channel publikon një tjetër kronikë, ku thuhet se “Abuzimi me çmimin e medikamentit Soludamin nga subjekti farmaceutik CFO PHarma duke e shitur atë 18 herë më shumë se sa çmimi që kishte miratuar komisioni i çmimit të barnave do t’i kushtojë kësaj kompanie një gjobë 10 fish sa përfitimi në mënyrë abuzive që ka pasur kjo kompani nga shitja e Soludaminës. (Lexo ketu)
Në 12.06.2019, Top Channel publikon një kronikë, ku biznesmeni Përparim Sulkaj akuzonte Nadir Çaushollin për mashtrim .(Lexo ketu)
Në 14.06.2019, sërish publikohet një tjetër dëshmi e Përparim Sulkaj, i cili pretendon se nëpërmjet mashtrimit Nadir Çausholli ka mundur ti marrë “Spitalin Gjerman”. (Lexo ketu)
Në 17.06.2019, Top Channel thotë se CFO Pharma do të penalizohet me gjobë 10-fishin e përfitimit abuziv nga shitja e medikamneiti “Soludamin”.
“Agjencia e Barnave pasi ka investiguar të gjithë tregun farmaceutik dhe ka marrë informacionin e nevojshme në të gjitha depot farmaceutike pritet që të presë këtë të hënë fletë gjobën ndaj “CFO Pharma”.-thuhej në kronikën e Top Channel. (Lexo ketu)
Në 10.09.2019, në një ndër kronikat e Top Channel thuhej se “Administratori i kompanisë CFO Pharma, Nadir Çausholli është paraqitur në ambientet e drejtorisë së policisë Tiranë, ku i është komunikuar akuza lidhur me mashtrimin që ai dhe kompania e tij bënin me ilaçin e quajtur Soludamin.
Në dokumentin që Top Channel disponon, prokurori i çështjes Kreshnik Ajazi, ka vendosur që pas hetimeve të kryera, të marrë në të pandehur Nadir Çaushollin, duke e akuzuar për tre vepra penale: Mashtrim i kryer më shumë se një herë; Manipulim i tregut dhe Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve i kryer më shumë se një herë.”. (Lexo ketu)
Në 01.10.2019, Top Channel publikon akuzat, që prokuroria kishte ngritur ndaj biznesmenit Çausholli.
Sipas Top Channel, “Në përfundim të hetimeve, thotë prokurori, Nadir Çausholi ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit” kryer më shumë se një herë, “Manipulim i tregut” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer më shumë se një herë.”.( Lexo ketu)
Në 25.10.2019, Top Channel pretendonte se gjyqi ndaj Çaushollit po zvarritet, edhe pse sipas tyre provat janë të qarta.
“Prej disa vitesh në Gjykatën e Vlorës zvarritet një gjyq që ka për personazh kryesor biznesmenin Nadir Çausholli.
Hetimet janë mbyllur dhe më herët, në vitin 2015 gjykata ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, ish drejtorin e spitalit të vlorës i cili kishte lidhur disa kontrata në vitet 2013 dhe 2014 me depon farmaceutike Omega Pharma Group, pa kryer më parë asnjë tender apo prokurim të drejtpërdrejtë. Ndërsa drejtësia për administratorin e omega farma po zvarritet.
Edhe viti 2019 po mbyllet ndërsa gjyqi në gjykatën e vlorës shtyhet për shkak se në cdo seancë mungojnë osë të pandehurit ose avokatet.”-thuhej në kronikën e Top Channel. (Lexo ketu)
Në 30.10.2019, Top Channel publikon datën kur do të mbahej gjyqi.
Në kronikë thuhej se “Gjykata e Tiranës, do të zhvillojë në datën 5 nëntor, seancën paraprake për Nadir Çaushollin, administratorin e Kompanisë CFO Pharma, i marrë i pandehur nga prokuroria për mashtrimin që ai bënte me ilaçin e quajtur Soludamin, duke e shitur 18 herë më shtrenjtë.”. (Lexo ketu)
Ndërsa në një tjetër kronikë të datës 05.11.2019, Top Channel akuzon Çaushollin se nuk ka shkuar në gjyq, duke nisur kështu sipas tyre, procesin e mashtrimit për soludaminën.
“Seanca paraprake për Nadir Çausholli, administratorin e kompanisë CFO Pharma, u shty për në datën 13 nëntor.
Shkak, është bërë mosparaqitja e këtij të fundit gjatë seancës, me gjyqtar Albert Meçen. Prokurori Kreshnik Ajazi, e ka marrë Çaushollin të pandehur për mashtrimin që ai bënte me ilaçin soludamin, duke e shitur 18 herë më shtrenjtë nga sa ishte përcaktuar nga Agjensia Kombëtare e Barnave.”-thuhej në kronikën e Top Channel. (Lexo ketu)
Këto janë disa nga dhjetëra kronika që Top Channel ka bërë kundër Nadir Çaushollit dhe kompanisë CFO Pharma, ndërsa sot reklamon produktet e kësaj kompanie./ CNA.al
Përplasja Top Channel-Nadir Çausholli/ Nga akuzat, kallëzimet penale tek “dashuria në kohën e kolerës”