Numri i të prekurve të rinj me COVID-19 vazhdoi të rritej edhe në 24 orët e fundit, duke shënuar 28 raste të reja nga 103 testime të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik. Kjo e çoi në 174 numrin total të personave të infektuar me koronavirus në Shqipëri.
Një 71-vjeçare humbi jetën në spitalin Infektiv mbrëmjen e së mërkurës, duke e çuar numrin e viktimave të COVID-19 në 6. Sipas përfaqësueses së ISHP-së, Eugena Tomini, 71-vjeçarja ndodhej e intubuar dhe në gjendje të rëndë, ndërsa ndërroi jetë pavarësisht përpjekjes së mjekëve.
“Në spitalin Infektiv në Tiranë ndodhen 73 të shtruar, tre prej të cilëve janë në terapi intensive. Dy janë në gjendje kritike,” tha Tomini në deklaratën për median.
COVID-19 është shtrirë thuajse në të gjithë vendin, duke prekur edhe qytetin verior të Tropojës në 24 orët e fundit. Megjithatë, vatra më e madhe vazhdon të mbetet qyteti i Tiranës me 102 raste të konfirmuara.
Qyteti i Fierit është vatra e dytë më e madhe me 18 raste, e ndjekur nga Korça me 11 raste, Durrësi me 10 raste dhe Elbasani dhe Vlora me nga 5 raste të konfirmuara.
Ministria e Shëndetësisë ka përsëritur thirrjet për të gjithë qytetarët që të mos shkojnë në spital, por të telefonojnë fillimisht në numrat e vënë në dispozicion nëse kanë shenja të sëmundjes.
Mëngjesin e së enjtes, numri i të infektuarve nga COVID-19 arriti në 470,873 persona në të gjithë botën, duke shtuar 49,876 raste të reja brenda vetëm 24 orësh, rritja më e madhe në numra absolutë e njohur brenda një dite deri tani.
Shtetet e Bashkuara patën numrin më të madh të rasteve të reja me afro 15 mijë, pasuar nga Spanja me 7,457 dhe Italia me 5,210 pacientë.
Numri i të vdekurve u rrit me 2,401 brenda një dite duke arritur në 21,238 vetë. Italia pati një ditë tjetër të trishtë me 683 të vdekur pavarësisht se numri i rasteve të reja, rreth 5200, ishte afërsisht i barabartë me numrin e rasteve të reja gjatë tre ditëve të fundit, duke dhënë shpresë se kurba e përhapjes së saj po “sheshohet”.