Pavarësisht zhvillimit të shpejtë dhe të zhurmshëm të inteligjencës artificiale, duket se kapitali njerëzor përbën shtyllën kryesore të kompanive. Për këtë arsye gjithnjë e më shumë po kthehet vëmendja te gjetja, rritja dhe zhvillimi i profesionistëve të të gjitha kategorive.
Si po e përballojnë kompanitë ndërkombëtare dhe kompanitë shqiptare këtë situatë që nuk është e re, por lehtësitë e lëvizjes në një botë globale e kthejnë në një sfidë? Për të kuptuar më mirë çfarë ndodh brenda kompanive i jemi drejtuar Grupit BALFIN si një grup ndërkombëtar , me zyra qendrore në Shqipëri, i pranishëm në dy kontinente por , i pranishëm edhe në rajonin e Ballkanit.
Drejtori i Burimeve Njerëzore i Grupit BALFIN, Elvin Nosi, duke iu përgjigjur pyetjeve tona na ka treguar sesi e përballojnë sfidën me burimet njerëzore dhe sesi kanë gjetur mekanizmat e duhur për të përthithur profesionistët më të mirë dhe për të zhvilluar talentet nëpërmjet programeve specifike trajnimi.
Ai na tregoi sesi me një grup që ka mbi 5’000 të punësuar të drejtpërdrejtë dhe mbi 10’000 të tjerë të punësuar nga partnerët e kompanive të grupit, krijon çdo vit vende të reja pune. Vetëm gjatë vitit 2024 janë parashikuar rreth 600 vende të reja dhe duke e rritur fondin vjetor të pagave deri në rreth 70 milionë euro. Z. Nosi nuk harron të përmendë edhe programet e rritjes profesionale të Grupit BALFIN si Talent Pool , Balfin Training Academy apo si janë politikat për të pasur një raport të ekuilibruar midis punës dhe jetës personale.
Është bërë e vështirë të gjesh njerëz të kualifikuar? Çfarë strategjish përdor Grupi BALFIN për të tërhequr dhe mbajturtalentet veçanërisht në industri apo tregje konkurruese?
Një ndër prioritetet e strategjisë sonë të Burimeve Njerëzore është të rekrutojmë talentet më të mira dhe sa më shpejt. Vënia në jetë e kësaj strategjie fillon me një njohje sa më të mirë të potencialit të talenteve në tregjet ku operojmë. Për këtë qëllim, në mënyrë proaktive, ekipet e Burimeve Njerëzore të kompanive tona çdo vit kryejnë një proces hartëzimi të talenteve të tregut. Në këtë mënyrë, në rast nevoje rekrutimi, dimë ku të orientohemi në treg dhe procesi i rekrutimit bëhet më efektiv, duke i plotësuar kështu më shpejt nevojat e biznesit.
Natyrisht, vitet e fundit, për disa profile të caktuara pune (sidomos IT, dhe digjital), duket se është bërë më sfidues procesi i rekrutimit. Megjithatë, një pjesë të mirë të kompanive tona, të cilat udhëheqin tregjet në sektorët ku operojnë, gëzojnë një reputacion si “punëdhënësi më i mirë”, imazh të cilin kujdesen ta ruajnë duke u investuar në mënyrë të vazhdueshme në përmirësimin e vlerës së shtuar që u ofrojmë punonjësve tanë.
Disa nga elementet kryesore që ne u propozojmë punonjësve tanë si vlerë janë: vëmendja e vazhdueshme tek kompensimet dhe përfitimet e punonjësve nëpërmjet pasurimit të tyre dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të qenë konkurrues në treg. Tjetër element është investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e tyre duke caktuar fondet e nevojshme që mundësojnë ofrimin e aktiviteteve zhvillimore të larmishme. Mirënjohja e vazhdueshme e arritjeve të punonjësve tanë është një tjetër element i rëndësishëm që zbatojmë dhe që ndikon ndjeshëm në motivimin dhe mbajtjen e tyre në kompani.
Para pak kohësh u përmend që Grupi BALFIN kishte parashikuar një rritje të fondit të pagave me 13 milionë euro. Nëse është e vërtetë, mendoni se vetëm rritja e pagave mjafton për të mbajtur të motivuar punonjësit?
Mund të konfirmoj që fondi vjetor i pagave për vitin 2024 është rritur me 13 milionë euro duke shkuar në mbi 67 milionë euro si total për të gjitha shtetet ku operojmë. Rreth 9 milionë euro rritje vjen si pasojë e vendeve të reja të punës që krijohen dhe 4 milionë euro parashikohen për rritjen e pagave të punonjësve ekzistues. Rritja e pagave për ne mbetet një praktikë konstante në kuadrin e paketës së kompensimeve dhe përfitimeve në tërësi që iu ofrohet punonjësve tanë.
Padyshim, paga dhe rritja e saj me kalimin e kohës luan një rol të rëndësishëm në motivimin e punonjësve, megjithatë si një element i vetëm nuk siguron mbajtjen e punonjësit. Janë shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që ndikojnë në motivimin e punonjësit, përtej pasjes së një page të drejtë dhe konkurruese në treg apo pranisë së incentivave të ndryshme monetare ose jo monetare. Ndër këta faktorë të rëndësishëm do të veçonim kryesisht, stilin e vendimmarrjes, qartësinë në objektivat e punës, kulturën e brendshme të kompanisë, mundësinë e zhvillimit profesional dhe mirënjohjen për punën e kryer.
Beson Grupi BALFIN te zhvillimi dhe mësimi i vazhdueshëm i punonjësve? Keni politika apo programe të veçanta për këtë?
Në Grupin BALFIN, investimin për zhvillimin e punonjësve tanë e konsiderojmë një faktor suksesi kyç në arritjen e objektivave të biznesit si dhe në motivimin e punonjësve. Ofrimi i programeve të trajnimit, si Balfin Training Academy, Talent Pool apo të tjera programe për udhëheqësit ekzekutivë, të ndërthurura me mundësitë për karrierë brenda Grupit, përbëjnë një avantazh të fortë konkurrues që Grupi BALFIN ka në tregun e punës për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve. Më konkretisht, përsa i përket trajnimeve, gjatë vitit 2023, çdo punonjës ka marrë mesatarisht 19 orë trajnim dhe çdo muaj janë trajnuar mesatarisht 670 punonjës. Për vitin 2024 parashikojmë një rritje të ndjeshme, prej 26%, të shpenzimeve për trajnimin dhe zhvillimin e punonjësve me një fond mbi 650 mijë euro.
A ka Grupi BALFIN një përllogaritje mbi vendet e reja të punës që do krijohen gjatë këtij viti? Në cilat industri dhe cilat shtete do ketë krijohen më shumë vende pune të reja
Bazuar në planet 3-vjeçare të biznesit, çdo vit ne kemi një parashikim të saktë të vendeve të reja të punës që duhet të hapen për t’iu përgjigjur nevojave të rritjes së biznesit. Gjatë vitit 2024 parashikohet të krijohen drejtpërdrejt 600 vende të reja pune në strukturat e kompanive të Grupit. Gjithashtu, si pasojë e shtimit të volumit të biznesit për partnerët, indirekt do të krijohen edhe rreth 2,000 vende të reja pune.
Pjesa më e madhe e vendeve të reja të punës kryesisht do të krijohen në kompanitë që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë, në vendet ku ne operojmë, jo vetëm në Shqipëri. Rritje të vendeve të reja të punës do të ketë gjithashtu në sektorin e ndërtimit dhe kryesisht rritja do të konsistojë në shtimin e numrit të punonjësve të nënkontraktuar.
Si e mbështet Grupi mirëqenien e punonjësve dhe ekuilibrin mes punës dhe jetës private?
Grupi BALFIN e ka në vëmendje te vazhdueshme mirëqenien e punonjësve, çka në fakt ndikon edhe në ekuilibrin mes punës dhe jetës private. Ne ndërmarrim iniciativa të vazhdueshme që synojnë mirëqenien e punonjësve, qoftë nëpërmjet ofrimit të seancave këshilluese me profesionistë të shëndetit të specialiteteve të ndryshme, organizimit të aktiviteteve sportive apo përfshirjes së aktiviteteve rekreative në mjediset e punës si dhe jashtë saj.
Një tjetër element i rëndësishëm është edhe fleksibiliteti që kemi prezantuar nëpërmjet mundësisë që kanë punonjësit për të punuar në distancë apo adoptimin e një orari ditor pune fleksibël. Gjithashtu monitorojmë me kujdes qasjet më të fundit që ekzistojnë tashmë në tregje më të zhvilluara, persa i përket praktikave më të mira që shtojnë vlerë në mirëqenien e punonjësve, me qëllim që t’i adoptojmë në kohë në Grupin tonë.
Shumë kompani ndërkombëtare, kategori ku bën pjesë edhe Grupi BALFIN, kanë programe për zbulimin e talenteve në universitete. Po ju a i shikoni studentët e sotëm si punonjës të talentuar të së ardhmes? Nëse po, si e bëni?
Vetë Presidenti i Grupit BALFIN, z. Samir Mane ka një interes të veçantë në mbështetjen dhe zhvillimin e studentëve që kanë talente dhe aftësi. Ne si Grup kemi zgjedhur të ndjekim paralelisht dy rrugë në gjetjen, afrimin dhe mbajtjen e studentëve që tregojnë se kanë potencialin dhe ambicien e duhur për t’ju bashkuar kompanive të Grupit. Vetë Grupi është investitori dhe aksioneri kryesor i një universiteti, Tirana Business University. Duke pasur një universitet si pjesë e Grupit e kemi më të thjeshtë të përshtatim kurikula të caktuara akademike sipas nevojave, kërkesave dhe prirjeve që ka tregu i punës.
Ndërkohë ne kemi edhe një program tonin, B4Students, që mbështet startup-et e studentëve, ndërhyn në përmirësimin e infrastrukturës së universiteteve publike, ofron praktika profesionale dhe bursa studimi. B4Students është një program dinamik, tërësisht i përshtatur dhe plotësisht i dedikuar për studentët dhe mbështetet nga Fondacioni Mane.
Mendoj se nëpërmjet Tirana Business University dhe B4Students arrijmë që të evidentojnë studentë e talentuar, sipas shembujve më të mirë ndërkombëtar, por përfitues të programeve tona janë një numër disa herë më i madh studentësh.