Qeveria miratoi të hënën më datë 23 mars një akt normativ për “Qëndrimin e Përkohshëm në Shtëpi të të Dënuarve”, në të cilin thuhet se ka për objekt përcaktimin e kushteve dhe kritereve për qëndrimin e të dënuarve në shtëpi, si një leje e veçantë, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. Si qëllim i nxjerrjes së këtij akti, përshkruhet nevoja e marrjes së masave të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga koronavirusi.
Në aktin normativ përcaktohen se cilët prej të dënuarve mund të përfitojnë këtë leje të veçantë për tre muaj dhe cilët jo, si edhe përshkruhen proceduart që duhen ndjekur për të aplikuar.
Në nenin 4 të këtij akti thuhet se i dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë tre mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të aktit normativ është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe i kanë mbetur pa vuajtur edhe tre vjet burgim; kur i ka mbetur pa vuajtur deri në pesë vjet heqje lire, por është 60 vjeç ose më shumë apo vuan nga sëmundje kronike të rrezikshme për jetën të vërtetuar me dokumentet përkatëse mjekësore.
Qëndrimi në shtëpi gjatë kësaj periudhe është parashikuar të përllogaritet si vuajtje dënimi. Ndërkohë, nëse gjykata gjatë kësaj periudhe vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ atëherë leja e veçantë shfuqizohet.
Aty shpjegohet se i dënuari që do të përfitojë këtë lejë mund të qëndrojë në shtëpinë e tij nëse do të ketë edhe pëlqimin e familjarëve, në një shtëpi tjetër private apo edhe në një qendër të kujdesit e të shëndetit publik. Në akt përcaktohet se nëse pas tre muajve situata vazhdon të mbetet e njëjtë, leja e veçantë mund të shtyhet edhe për tre muaj të tjerë.
Jo të gjithë të dënuarit me vendim të formës së prerë të cilët plotësojnë kriteret e sipërcituara mund të përfitojnë lejen e veçantë të qëndrimit në shtëpi gjatë epidemisë së kornavirusit.
Në akt është përcaktuar se përjashtohen të gjithë ata të dënuar për vepra të rënda penale: për krime kundër njerëzimit si genocidi e prime e luftës; krime kundër jetës të kryera me dashje ku përfshihen vrasjet; torturat dhe plagosjet me dashje; krime seksuale; rrëmbimi dhe mbajtja peng e personave; trafikimi i të miturve dhe dhuna në familje; vjedhja e bankave, vjedhja me dhunë e më armë dhe kur shkakton vdekje; shkatërrimi i pronës me zjarr ose eksploziv; krime që cënojnë pavarësinë dhe rendin kushtetues; krime me qëllime terroriste; korrupsioni dhe krime të tjera kundër autoritetit të shtetit dhe për vepra penale të kryera nga banda të armatosura apo organizata kriminale.
Gjithashtu, nuk përfitojnë leje të përkohshme në shtëpi as ata të dënuar të cilët janë në hetim për një vepër tjetër penale, ndërkohë që kanë qenë duke vuajtur një dënim të mëparshëm; ata që kanë marrë një masë disiplinore gjatë muajve të fundit; ata të cilët konsiderohet se paraqesin rrezikshmëri shoqërore ose që mund të sjellin pasoja për rendin dhe sigurinë publike; si edhe ata që nuk kanë një banesë, ose familjarët e tij nuk japin pëlqimin për të qëndruar në të njëjtën banesë gjatë periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi. I dënuari që kërkon të përfitojë këtë lejë duhet të paraqesë kërkesën për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi së bashku me formularin e marrjes së përgjegjësisë si edhe atë të pëlqimit të familjarëve të tij.
Në aktin normativ përcaktohet se vlerësimi i kushteve dhe kritereve për ata që përfitojnë lejen e veçantë kryhet nga komisionet për vlerësimin e kushteve dhe të kritereve në çdo IEVP që përbëhet nga drejtori i institucionit përkatës; shefi i policisë së burgut; përgjegjësi i sektorit ligjor; përgjegjësi i sektorit të çështjeve shoqërore dhe përgjegjësi i sektorit të kujdesit shëndetësor. Rregullorja për ngritjen dhe funksionimin e çdo komisioni përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Kërkesa vlerësohet brenda pesë ditëve nga paraqitja. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, nëse shpreh dakortësinë me vendimin e komisionit të IEVP-së, e miraton brenda tre ditëve kërkesën e dorëzuar nga çdo i dënuar.
Në rast se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve çmon se propozimi i Komisionit të IEVP-së është në kundërshtim me aktin normativ, i kërkon Komisionit të Posaçëm të Shqyrtimit të Ankimeve. Ky i fundit përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë që caktohet nga ministri; nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve; Drejtori i Policisë së Burgjeve; një përfaqësues i Policisë së Shtetit; përgjegjësi i sektorit të shëndetësisë, ai i sektorit ligjor dhe i çështjeve shoqërore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Në aktin normativ thuhet se nëse i dënuari nuk kthehet në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale pas përfundimit të periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, do të procedohet për veprën penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Pas përfundimit të epidemisë së koronavirusit, përpara se të rikthehet në burg, i dënuari do ti nënshtrohet analizave mjekësore për parandalimin e infeksionit të COVID-2019.
Nëpërmjet një video të publikuar në profilin e saj në Facebook Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj theksoi se janë marrë gjithë masat për të siguruar jetën dhe shëndetin e të burgosurve nga COVID-2019.
“Kemi marrë edhe për ta gjithë masat e diktuara nga plani i luftës për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës duke shtuar shërbimet shëndetësore parandaluese, duke rritur kujdesin mjekësor për personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, duke shtuar kontrollin mjekësor dhe pajisjen me mjetet parandaluese për personelin e sistemit të burgjeve me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-2019”, pohon Gjonaj.
Ajo shton se takimet e të dënuarve me familjarët janë pezulluar plotësisht derisa kjo situatë të përfundojë dhe se komunikimi mes tyre është mundësuar online. “Gjithashtu janë marrë masat për krijimin e një infrastrukture të posaçme në qendrën spitalore të burgjeve për trajtimin e rasteve të dyshuara. Deri tani nuk kemi pasur fatmirësisht asnjë rast dhe masat e marra kanë funksionuar”, shton ajo.
Gjonaj pohon se akti normativ garanton që lejen e veçantë për karantinimin në shtëpi ta përfitojnë vetëm ata që janë të dënuar dhe kanë sjellje të mirë në institucion, që nuk janë në hetim për një vepër tjetër penale dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.
“Kjo masë e marrë sot nga qeveria në situatën e pazakontë ku ndodhemi do të lehtësojë mbrojtjen e shëndetit në burgje dhe do të fuqizojë marrjen e masave parandaluese ndaj COVID-2019”, thekson Gjonaj e cila bënë thirrje për të respektuar masat e sigurisë nga COVID-2019. Sipas saj janë rreth 600 të burgosur që pritet të përfitojnë qëndrimin në shtëpi nga ky akt normativ.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj shpjegoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se kanë nisur punën për zbatimin e Aktit Normativ për lejet e veçanta për të dënuarit. Sipas tij, janë hartuar listat paraprake dhe janë publikuar në faqen online të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve formularët që duhet të plotësojnë të dënuarit dhe familjarët e tyret. Ashtu si Gjonaj, edhe ai tha se janë rreth 600 të dënuar mund të përfitojnë leje të veçantë nga akti normativ i miratuar të hënën nga qeveria. Sipas Sufajt, disponohet gjithë informacioni i nevojshëm për të bërë të mundur verifikimin e personave që mund të përfitojnë lejen e veçantë.
Zv/drejtori Sufaj sqaroi edhe masat që janë marrë nga personeli i gjithë institucioneve të vuajtjes së dënimit për të parandaluar përhapjen e infektimit nga COVID-2019. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po zbaton urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka hartuar një protokoll, ku parashikohen gjithë masat parandaluese. Janë ndërprerë vizitat me të afërmit dhe kemi instaluar 64 kompjutera për t’u mundësuar të dënuarve të kontaktojnë online me të afërmit e tyre”, pohoi Sufaj.
Ai theksoi se gjithë personeli i burgjeve kontrollohet para marrjes së detyrës. “Askush nuk futet pa u kontrolluar dhe pa masat mbrojtëse, si maskat e pajisje të tjera. I matet temperatura çdo pjesëtari të personelit dhe kryhet një intervistë për kontaktet që ata mund të kenë pasur gjatë ditëve apo orëve të fundit dhe pasi firmosin marrin detyrën. Deri në këtë moment nuk është konstatuar asnjë shenjë e infektimit nga COVID-2019, si tek personeli ashtu edhe tek personat që qëndrojnë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe në paraburgime”, theksoi Sufaj i cili shtoi se kur janë raportuar kontakte të dyshuara nga punonjësit, atëherë ata janë hequr nga shërbimi.
Sipas Sufajt, edhe pse në ambjentet e burgjeve në kushte të zakonshme qëndrimi është kolektiv, janë marrë masat që të dënuarit të mos krijojnë grumbullime e të respektojnë distancat e nevojshme. Ai shton se në ato burgje ku nuk ka spitale janë krijuar ambiente të posaçme për të përballuar raste emergjente të dyshuara me COVID-2019.