Ministria e Arsimit ka marrë vendim që video-ligjëratat e mësimit në distancë të përdoren nga çdo person privat apo juridik dhe që të njëjtat të mos modifikohen me materiale promovuese, me ç’rast ia ka shfuqizuar përfitimet portalit Kallxo.com, të afërt me zëvendëskryeministri Haki Abazi.
Mediat raportuan sot se Kallxo.com, portali i afërt me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Haki Abazi, është angazhuar nga Qeveria e Kosovës për incizimin e ligjëratave online për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës.
Kjo u dëshmua të hënën, kur filloi të implementohet ky proces mësimor.
Mirëpo, në një kumtesë të Ministrisë së Arsimit të hënën pasdite, është vendosur që video-incizimet e ligjëratave online të publikohen në uebfaqen e Ministrisë dhe të njëjtat të mund të përdoren nga çdo person fizik apo juridik duke i plotësuar tri kushte, shkruan Insajderi.
Vendimin e ka njoftuar përmes rrjetit social Facebook, zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi.
Duke parë që ka shumë interesim të madh për përdorim të këtyre materialeve, ka thënë Thaçi, si dhe bazuar në nevojën që nxënësit të kenë sa më lehtë qasje në këto materiale, MASHTI sot “ka vendosur që këto materiale të ofrohen edhe si burim i hapur (open source)” me tri kushte.
“1. Këto materiale e përmbajtje mbesin pronë e MASHTI-t. 2. Këto materiale e përmbajtje nuk mund të modifikohen. 3. Këto materiale e përmbajtje nuk mund të monitizohen (nuk mund të përdoren për qëllime fitim-prurëse)”, ka nënvizuar zëvendësministri Thaçi.
“Kjo nënkupton se çdo person fizik ose juridik që i përmbahet kushteve të sipër-përmendura mund t’i përdorë, t’i publikojë ose t’i transmetojë këto materiale e përmbajtje te publiku përmes çfarëdo lloj mënyre, forme a formati që ka në dispozicion”, ka thënë ai.
Pika e dytë e “kushteve për publikim”, siç i ka paraqitur zv/ministri Thaçi, parasheh që materialet të mos mund të modifikohen.
Sipas kësaj pike, shfuqizohet përfitimi i portalit Kallxo.com nga platforma E-mësimi, në të cilën gjatë video-ligjëratave të së hënës është promovuar logoja e portalit në fjalë.