Pandemia ka ndryshuar mënyrën e jetesës të të gjitha shtresave të shoqërisë. Nga shumë lidera botërorë, virusi Covid-19 quhet si “armik i padukshëm” dhe gjendja krahasohet me atë të luftës.
Por kësaj situate të rënduar nuk i kanë shpëtuar as mediat si printi dhe ato online. Gazetarë dhe ekspertë në vend kanë vënë alarmin për një kolaps dramatik që do të rrezikonte edhe demokracinë në vend, në rast se gjen mbështetjen e munguar deri tani.
Ndonëse media e shkruar, televizionet, radiot dhe ajo online qëndron në vijë të parë të informimit të publikut si dhe ka pasur gjatë këtyre kohëve një audiencë tepër të madhe, po përballet me një problem tjetër, atë të reduktimit të reklamave.
Sipas shifrave të përllogaritura që prej përhapjes së pandemisë së koronavirusit dhe masave shtrënguese, fushatat e reklamimit në media kanë pësuar rënie rekord me 75 deri në 80%. E përkthyer në fjalë të thjeshta kjo do të thotë falimentimin e medias, dhe në rastin e Spanjës një gjë e tillë rrezikon të ndodhë në masë të madhe.
“Nëse asnjë ndihmë nuk do të jepet për mediat, atëherë do të ketë një tsunami dhe një tragjedi për demokracinë në vend”, thotë Fernando Yarza, president i shoqatës botërore të gazetave dhe botuesve. Kriza, siç shpjegon ai, nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë se kaq”. Ndërsa presidenti i shoqatës së mediave informative, Antonio Fernandez Galiano, që mbledh gazetat kryesore në Spanjë, thotë se po përballen me diçka të paprecedentë; kolapsin e të ardhurave në kohën kur ka kapacitete më të pakta financiare se në çdo krizë të mëparshme.
Nëse vazhdohet kështu, thotë ai, atëherë mbyllja do të jetë e pa evitueshme dhe informacioni do të dëmtohet rëndë. Si pasojë, i janë dërguar qeverisë spanjolle disa propozime dhe i kërkon asaj të hartojë një plan specifik që do të evitonte humbjen e shumë vendeve të punës dhe dëmtimin e informacionit, që është edhe një nga shtyllat kryesore të një demokracie.