Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarëve dhe punonjësve tjerë medial nuk u kufizohet lëvizja, pavarësisht masave të reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në lidhje qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private nga data 24 mars 2020, gjatë orës 10:00-16:00 dhe nga 20:00 – 06:00.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, AGK’ja u ka bërë thirrje gazetarëve që të mbajnë me vete ID’në e punës që të mos pengohen.
“Komuniteti i mediave, gazetarët dhe ekipi përcjellës, mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt, në përputhje me urdhëresat të cilat tashmë janë në fuqi. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterë dhe punetorët medial duhet që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional. Gjithashtu, udhëtimin e tyre gjatë përcjelljeve të ngjarjeve në teren, ta bëjnë me vetura zyrtare dhe të regjistruara si pronë e mediumit ku ata punojnë” – thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut.