Kjo është Sabahete Hasaj, prej 5 ditësh e vetëizoluar. Vetëizolimi ka bërë që kjo 63 vjeçare, banuese në fshatin Zues të njësisë Rrethina dhe bashkëshorti i saj të mbesin pa ushqime. Pesë ditë më parë kanë ardhur nga Gjermania teksa ndodheshin tek fëmijët e tyre. Për çiftin Hasaj është totalisht e ndaluar që të dalin apo të takojnë njerëz dhe ata po e zbatojnë por askush nuk ka menduar se si do të ushqehen këto dy të moshuar.
63 vjeçarja nuk është e prekur me koronavirus por u bllokuan për 7 orë me radhë në Hungari teksa po ktheheshin nga Gjermania. Qëndruan në një kontinier bashkë me 21 persona të tjerë prej të cilëve një vajzë shfaqi simptoma të koronavirusit.
Aktualisht nuk kanë asnjë problem shëndetësor dhe po e respektojnë vetëizolimin por askush s’po mendon për t’i siguruar ushqimet. Fëmijët e saj në Gjermani dhe Francë e kanë të pamundur t’i ndihmojnë si zakonisht sepse janë të izoluar dhe ndodhen në qytete shumë të prekura nga koronavirusi.
Pasi kanë mbërritur në shtëpinë e tyre duke kaluar shumë vështirësi në atë udhëtim që do mbesë gjithmonë në kujtesë për Fadil dhe Sabahete Hasaj, deri më tani asnjë prej institucioneve shqiptare nuk i ka kontaktuar për asnjë lloj problemi duke mos shfaqur interes.
Si çifti Hasaj që kanë ardhur nga shtete të prekura dhe po qëndrojnë të vetëizoluar por me pamundësi për të siguruar ushqime ka disa por institucionet ndryshe nga sa raportohet nuk i kontaktojnë për të ditur situatën e tyre.