Shqipëria ka regjistruar mëngjesin e kësaj të diele të 22 marsit numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti ‘zero’. Nga 33 teste të kryera së fundmi, 13 raste janë konfirmuar pozitiv ditën e sotme duke e çuar në total në 89 të infektuar. Korça i shtohet hartës së qyteteve të prekura me COVID-19, nga 7 në total, e ndërsa Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të të infektuarve me 63 qytetarë. Në komunikimin e përditshëm, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar, 54-vjeç. Pavarësisht se ditën e djeshme kanë lënë spitalin tre persona, numri i të shtruarve në spitalin Infektiv ka shkuar në 43 pacientë, 4 prej tyre janë në terapi intensive.
8 nga rastet janë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe 3 qytetarë nga Korça. Burime për Report Tv bëjnë me dije se çifti korçar, 76 dhe 75 vjeç janë infektuar nga mbesa e tyre që në 8 mars ishte kthyer nga Italia, e ndërsa rasti tjetër është i një 32-vjeçari. Të tre ishin të izoluar në spitalin e qytetit, por gjendja e tyre shëndetësore pati përkeqësime e për pasojë u dërguan në Tiranë.
• Tiranë 63 qytetarë
• Durrës 6 qytetarë
• Lushnje 2 qytetarë
• Elbasan 2 qytetarë
• Fier 8 qytetarë
• Rrogozhinë 2 qytetarë
• Kavajë 3 qytetarë
• Korçë 3 qytetarë
Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete. Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë.
4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.
Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së këtij transmetimi, qytetarët kanë një rol thelbësor. Qytetarët duhet të vazhdojnë të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!
Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.
Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!
Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.