TIRANE-Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca në një komunikim me qytetarët shqiptarë online u shpreh se 50 milionë eurot që Brukseli akordoi për vendin tonë nuk janë kredi, por grante (dhuratë) në mënyrë që të përballohet situata nga koronavirusi për të parandaluar përhapjen. Lidhur me negociatat, pas vendimit të 24 marsit për dhënien e dritës jeshile, tashmë sfida e radhës për Shqipërinë është konferenca ndërqeveritare. Por për të arritur aty, Soreca u shpreh se Shqipëria duhet të plotësojë 4 kushte, të cilat janë; miratimi i reformës zgjedhore, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, krijimi i organeve të specializuara anti-korrupsion, SPAK dhe BKH, por edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Ai përmendi edhe arritjet e Shqipërisë në 6 muajt e fundit, nga tetori i 2019, që u shty vendimi. “24 Marsi është një ditë historike për Shqipërinë, që e ka sjellë më pranë BE-së në një status tjetër. Ne do të flasim për këtë gjë dhe COVID-19. Progresi i Shqipërisë nga tetori i vitit të kaluar. E rëndësishme ka qenë që Shqipëria të bënte përparim dhe ecuri përpara, kjo ka qenë kritike. Po përmend disa arritje në 6 muajt e fundit, krijimi i SPAK, emërimi i kreut të ILD, prokurorit të përgjithshëm, drejtorit të BKH pas pak ditësh që do të mbarojë. Por edhe tryeza për reformën zgjedhore” tha ai. Në fund, Soreca tregoi edhe përjetimin e tij dhe si po e përballon situatën nga koronavirusi, ndërsa kishte një apel për të gjithë qytetarët që të zbatojnë rregullat për të parandaluar përhapjen.